Administrata, policia, shëndetësia, arsimi, gjyqësori e shumë sfera tjera duhen reformuar thelbësisht për të qenë sa më afër Evropës. Për të qenë evropianë, duhet të gjithë ti shmangin dhe të luftojnë veprimet korruptuese, të denoncohet krimi, sepse Evropa nuk është mit. Evropa dhe sistemi evropian do të jenë mit nëse qeverisja vazhdon të jetë e centralizuar përkatësisht pushteti përqendrohet në disa individë
Sefer TAHIRI, Shkup
Duke mos hyrë në trajtime teorike dhe politikologjike të shpjegimit të integrimit evropian dhe reformimit të sistemit dhe aparatit shtetëror- publik, në plan konkret përmes realitetit të vrazhdë të jetës institucionale dhe raportit të saj me qytetarin tentojmë të sqarojmë se vlerat evropiane janë ideal dhe pikësynim. Gjithashtu edhe pa hyrë në elaborime politike se sa larg Evropës jemi, kur dihet se në Francë për shembull ndërrimi i pushtetit (partive politike) nënkupton ndërrimin e 44 pozicioneve në qeveri! Pra 44, gjithsesi kjo nënkupton ministrin, zëvendësin, por jo edhe sekretarin e përgjithshëm të qeverisë dhe ministrive, të cilat janë poste profesionale! Këshilltarët, shefat e kabineteve e të ngjashëm mbeten të njëjtë. Në Ballkan, në Maqedoni, në Shqipëri, në Kosovë kudo kjo është fantastikë shkencore, pasi ndërrimet janë horizontale dhe vertikale.
Se sa afër apo më mirë thënë larg Evropës jemi flet sjellja e administratorëve nëpër sportele, policëve, motrave medicinale, arsimtarëve e shumë profesioneve tjera, të cilët duhet të jenë në shërbim të interesit publik e jo në shërbim të interesave personale, partiake ose grupore, klanore dhe parciale. Shumë administratorë, natyrisht, jo të gjithë e konsiderojnë pushtetin dhe pozicionet që i administrojnë si “pronë” individuale dhe së këndejmi ndaj qytetarëve sillen me arrogancë, prepotencë dhe me nënçmim! Reformat në administratë kushtojnë shuma të majme parash, por ndërrimi i sjelljes, një buzëqeshje në fytyrë e administratorëve karshi qytetarit të rëndomte është reforma më e madhe që duhet të ndodh dhe që nuk kushton para! Nuk duhen as fonde IPA, as IPARD ose fonde tjera evropiane.
Sportelet joevropiane!
Shpesh, madje vetëm për punë të zakonshme në mënyrë eksplicite dhe në të shumtën e rasteve implicite kërkojnë mito, prandaj Maqedonia del e para prej vendeve ballkanike në raportet e organizatave për matjen e korrupsionit. Në cilën do zyrë shteti ose të ndonjë institucioni publik të drejtohen qytetarët, edhe pse nuk jemi në komunizëm, por jemi gjoja në demokraci parlamentare, ballafaqohen me sportelet, të cilat edhe fizikisht e nënshtrojnë qytetarin ! Njëherë i nënshtron sporteli dhe pastaj edhe ata që qëndrojnë në sportele si nëpunës shtetërorë dhe publik. Kur dihet se cila është mendësia e një pjese të nëpunësve, të cilat janë relikte të komunizmit dhe se nuk e kanë harruar poshtërimin që u kanë bërë shqiptarëve, duket disi edhe e kuptueshme, ndonëse jonormale, që shqiptari ende shkon me drojë në komunën që nuk është me kryetar shqiptar për të marrë një vërtetim, në zyrë të vendit për të marrë çertifikatë ose në polici për të marrë letërnjoftim. Absurde do ishte të thuhet që gjithçka është si në komunizëm. Ka progres dhe kjo është proces historik, sepse tashmë jemi në vitin 2018, ndërsa nga viti 2005 jemi me statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por Evropa është larg, shumë larg si ide, si mendësi politike, si vlerë civilizuese dhe progresive. Evropën si synim, si cak çdoher e eklipson sjellja e disa nëpunësve, të cilët sillen në mënyrë ballkanike. Nuk ka Evropë kur në spitalet publike ballafaqohesh me mjekë ose personel mjekësor që sillet në mënyrë të vrazhdë me pacientët. Nuk ka Evropë kur ballafaqohesh me mjekë, që pa marrë para (euro kuptohet) nuk operojnë pacientët! Kuptohet, nuk arsyetohet korrupsioni pavarësisht se sa e vogël është paga e tyre!
Nuk ka Evropë, kur për të kryer inçizim urgjent rutinor, që kushton 300 denarë (5 euro), pacineti “ndër dorë” duhet të paguajë 1000 denarë (15 euro). Deri sa ndodhin këto dukuri dhe realiteti thotë që ndodhin, jo që nuk ka Evropë, jo që nuk vlejnë parullat “Jetë për të gjithë” e të ngjashme, por edhe po të integrohemi në Bashkimin Evropian do të mbetemi në bisht të civilizimit evropian- perëndimor.
Skenat e administratës joevropiane!
Një ish kolege e medias, këtyre ditëve tregonte një ngjarje reale, e cila tregon se sa larg Evropës, në kuptimin e vlerave dhe respektimit të dinjitetit qytetar jemi ne si shoqëri, si mendësi politike dhe administrative. Në Drejtorinë e Librave Amë, në sportel, meqë nuk mund të realizohet aplikacioni elektronik, presin 20 persona. Administratori i sportelit një gruaje 70 vjeçare nga një qytet i Maqedonisë i thotë që duhet të vijë pas shtatë deri në dhjetë ditë. Në një moment, një person që pret në radhë, ia jep telefonin celular sportelistit dhe i thotë shiko kush lajmërohet. Administratori, rrëfen kjo ish kolege, pasi zbehet në fytyrë vetëm pohon “Po, në rregull, do kryhet”. Edhe pse radha e njerëzve është e gjatë, i thërret kolegët e tij dhe i “urdhëron” që djaloshit për të cilin ka ndërhyrë ndonjë “i madh” t’ia bëjnë çertifikatën hiç më shumë se 5 minuta. “Jeta për të gjithë” konstaton e dëshpëruar kolegia nuk ka ardhur dhe me këtë mendësi burokratike as që do të vijë.
Skena e dytë joevropiane. E ndal policia një person me veturë! Del personi, bisedon me policët dhe për një moment nxjerr nga xhepi 1000 denarë dhe policët i japin dokumentet në dorë, duke e lënë të lirë.
Kurrë nuk do ta harroj tregimin e një njeriu që tregonte për një polic, i cili i ishte drejtuar një qytetari për t’i kërkuar laps kimik dhe ende pa i thënë ai i ishte përgjigjur “Shkoni te byrektorja, se ju të gjithë, katër sa jeni e keni byrekun të paguar”. Polici, i kishte thënë laps më duhet, por edhe byreku nuk është ide e keqe! Kishin ngrënë byrek pa para. Tingëllom si legjendë urbane, por nuk është larg të vërtetës. Në një qytet të Maqedonisë, madje dihet “restoranti i policëve”, në të cilin shkonin qytetarët dhe paguanin drekat për policët që i shikonin qytetarët “përmes gishtave”. Natyrisht jo të gjithë policët dhe administratorët janë të pandershëm, të pamoralshëm dhe joprofesional.
Në administratë dhe polici ka vajza dhe djem të ndershëm që uniformën administrative dhe policore e përdorin për të qenë në funksion të ligjit, të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe nuk e përdorin detyrën e tyre për të bërë “represion” ndaj qytetarëve.
Padyshim se reformat në administratë janë një ndër kriteret që kërkohen nga Bashkimi Evropian. Përveç administratës në sektorë tjerë gjendja nuk është hiç më e mirë. Nëse analizojmë se si funksionojnë gjykatat dhe skemën korruptuese të gjykatësve të lidhur me politikën dhe personat e veshur me pushtet dhe fuqi, atëherë duhet të heqim dorë nga Evropa. Rasti i fundit i Ivona Talevskës, një gazetare nga Maqedonia dëshmon këtë. Për fshehje të tatimit u dënua me burgim me kusht! Nuk ka ilustrim më të mirë që evidenton se gjyqësori në Maqedoni është në derexhe se sa fakti që anëtarë të Këshillit Gjyqësor Shtetëror janë juristë që asnjëherë nuk kanë punuar gjykatës. Absurdet nuk kanë fund në Maqedoni, Evropa mbetet gojëhapur dhe po tenton të ndihmojë vendin dhe qeverinë. Nuk janë harruar përgjimet, në të cilat dëgjohej se gjykatësit janë zgjedhur me diktat politik dhe duke blerë dhurata “swarovski”.
Jorastësisht në Strategjinë e fundit për integrim në Bashkimin Evropian, nga Maqedonia përveç marrëdhënieve të mira ndër- fqinjësore dhe zgjidhjen e çështjes së emrit kërkohet funksionimi i shtetit juridik dhe sundimi i ligjit, të cilat janë fiksion. Maqedonia është në një grup me Shqipërinë, ndërsa atje ambasadori amerikan iu tha gjykatësve të deklarohen se si i kanë blerë orët e dorës që kushtojnë 10 mijë euro! Këtu tek ne gjykatësit janë njerëz të pasur dhe si duket në uljen e korrupsionit nuk ka ndikuar as rritja e madhe e pagave mujore.
U formua një grup punues për reforma në jurisprudencë, por i njëjti dështoi dhe tani është në proces formimi i grupit tjetër punues, i cili do të drejtohet nga kryeministri Zoran Zaev, por rezultatet mungojnë. Gjyqësori mbetet i pareformuar, madje është shumë tragjikomike që në Grupin reformator do të ulen edhe kryetari i Gjykatës Supreme, Jovo Vangellovski dhe Zoran Karaxhovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë, të cilët nga kryeministri dhe partia e tij janë apostrofuar si uzurpatorë dhe kapës të sistemit gjyqësor. Kryeministri, pas kritikave publike u mbrojt duke thënë se ata do jenë pjesë e trupit reformator sipas detyrës zyrtare që kanë.
Evropa- mit apo realitet !
Administrata, policia, shëndetësia, arsimi, gjyqësori e shumë sfera tjera duhen reformuar thelbësisht për të qenë sa më afër Evropës. Për të qenë evropianë, duhet të gjithë t’i shmangim dhe të luftojmë veprimet korruptuese, duhet të denoncojmë krimin, sepse Evropa nuk është mit. Evropa dhe sistemi evropian do të jenë mit nëse qeverisja vazhdon të jetë e centralizuar përkatësisht pushteti përqendrohet në disa individë.
Evropa do të bëhet realitet, nëse qytetari do ta ndjejë se sistemi dhe struktura e institucioneve do të jenë në shërbim të tij dhe jo qytetari të jetë në shërbim të sistemit. Evropa do të bëhet e prekshme, nëse nga ajo “importohen” vlerat e mirëfillta civilizuese në fushën e rendit dhe ligjit. Evropa do të bëhet pjesë e jetës sonë nëse demokracia do të funksionojë jo si partitokraci dhe më keq si liderokraci. Evropa do të jetë më afër nëse përfaqësimi politik nuk do të varet nga renditja në listat e kandidatëve për deputetë, e bërë nga lideri partiak, por nëse qytetari do të ketë lista të hapura dhe ai do të zgjedh përfaqësuesit politik.
Evropa nuk do të shtrihet si gjeografi që nga Sllovenia e më tej, por Evropa e vlerave, Evropa e bashkuar duhet të shtrijë kufijtë e saj në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Evropa pa Balkanin do të mbetet e paplotë, ndërsa Ballkani pa Bashkimin Evropian do të mbetet një “fuçi baruti”, e cila çdo moment mund të shpërthejë.
Më tepër se sa anëtarësim në Bashkimin Evropian, na duhet që të bëhemi evropianë!