Evropa shënoi rritje me 4 për qind në prodhimin e energjisë së erës me 19,1 gigavatë (GW) bruto nga instalimet të reja, tregoi një raport i fundit nga WindEurope.
Raporti i energjisë së erës në Evropë në vitin 2022 dhe perspektiva për vitet 2023-2027 tregoi se 16,1 GW instalime të reja ishin në 27 vendet e Bashkimit Evropian (BE-27), shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Instalimet e energjisë së erës të vendosura në tokë përbënin 87 për qind të instalimeve të reja me 16,7 GW në Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në BE-27 përbënin 92 për qind.
Ndërkaq, instalimet e reja të energjisë së erës në det të hapur në Evropë kanë arritur në 2,5 GW vitin e kaluar.
“Fermat e erës të Evropës gjeneruan 487 teravat-orë (TWh) energji elektrike në vitin 2022. Kjo mbuloi 17 për qind të kërkesës për energji elektrike në BE-27 plus Mbretërinë e Bashkuar”, theksoi raporti.
Investimet në fermat e reja të erës shënuan rënie në vitin 2022
Sipas raportit, Evropa ka njoftuar 17 miliardë euro investime të reja, duke mbuluar 12 GW kapacitet të ri që do të ndërtohet këtë vit dhe më tej.
Kjo përfaqëson më pak se gjysmën e shumës së investuar në vitin 2021.
“Faktorët e parashikuar të kapacitetit të fermave të reja të erës në tokë të ndërtuara në Evropë në vitin 2022 janë 30-45 për qind dhe rreth 50 përqind për erën në det të hapur”, thuhet në raport.
Vlerësimi mesatar i fuqisë së turbinave të reja në tokë ishte 4,1 megavatë (MW) dhe 8 MW për erën në det të hapur.
Gjermania ka instaluar kapacitetin më të madh të energjisë së erës në vitin 2022 me 2,7 GW, 88 për qind e së cilës ishte nga energjia e erës në tokë.
Suedia dhe Finlanda kishin nga 2,4 GW kapacitet të instaluar të energjisë së erës secila, Franca 2,1 GW dhe Britania dhe Spanja secila kishin nga 1,7 GW.
Era ka plotësuar më shumë se 20 për qind të kërkesës për energji elektrike në pesë vende: Britani me 28 për qind, Gjermani me 26 për qind, Portugali me 26 për qind dhe Spanjë dhe Suedi me nga 25 për qind.
Pavarësisht konfliktit ruso-ukrainas, i cili bëri joaktive 75 për qind të kapacitetit total të instaluar prej 1,8 GW, Ukraina ka instaluar 83 MW kapacitet të ri./FolDrejt/