Për Serbinë dhe Hungarinë, vaksina ruse kundër koronavirusit “Sputnik-V” ishte si një dhuratë nga Zoti, duke u mundësuar të dy vendeve që të përshpejtojnë procesin e vaksinimit.
Gjermania dhe Franca janë gjithashtu të interesuara për vaksina dhe po negociojnë për të blerë prodhimin rus. Nga mesi i javës, Berlini i kërkoi Komisionit Evropian blerjen e vaksinave Sputnik. Pastaj, zyrtarët gjermanë thonë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian mund të vendosin vetë nëse duan të blejnë ose jo vaksinën ruse nga Brukseli.
Por, megjithë ritmin e ngadaltë të vaksinimeve dhe mungesës së dozave, disa qeveri evropiane hezistojnë të porosisin vaksinën ruse, duke vlerësuar se përdorimi i vaksinës Sputnik-V është më shumë çështje gjeopolitike sesa çështje e shëndetit publik, me frikën se pas diplomacisë së Kremlinit për vaksinën ka motive të fshehta.
Sputnik ishte vaksina e parë e regjistruar kundër koronavirusit, megjithëse miratimi i saj u bë vetëm nga Rusia dhe jo nga ndonjë entndërkombëtar i rregullimit të barnave.
Dyshimet në lidhje me efikasistetin e vaksinës janë shpërndarë kryesisht në komunitetin shkencor perëndimor, pas një studimi të fundit të botuar nga revista mjekësore britanike “The Lancet”, e cila sugjeron se vaksina ka 91.6 % efikasitet kundër COVID-19.
Procesi i ngadaltë i miratimit të vaksinës Sputnik nga Agjencia Evropiane e Barnave, zemëroi kancelarin austriak Sebastian Kurz, i cili javën që shkoi pati përplasje me kancelaren gjermane Angela Merkel gjatë një takimi të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, ku ai u ankua për mënyrën e shpërndarjes së vaksinave në bllok, ku sipas tij po favorizohen shtetet e mëdha perëndimore.
Ndërsa udhëheqësit evropianë janë të ndarë lidhur me përdorimin ose jo të vaksinës ruse Sputnik, ekziston një nivel i lartë skepticizmi mes banorëve evropianë lidhur me Rusinë. Në një sondazh të fundit të Institutit Ndërkombëtar Republikan, një OJQ me bazë në ShBA, vetëm 15 për qind e të anketuarve mendojnë se Rusia është e dobishme në luftën kundër koronavirusit në vendin e tyre.