Facebook mbylli 23 faqe interneti italiane me mbi 2,46 milionë ndjekës, të cilët ndanin informacione false dhe përmbajtje përçarëse kundër migrantëve, antisemite, madje edhe kundër vaksinave, në dëm të zgjedhjeve europiane.
Ndërmjet këtyre faqeve, më shumë se gjysma ishin në mbështetje të Lega-s apo Lëvizjes populsite Pesë Yjet.
“Falënderojmë organizatën Avaaz për ndarjen e të dhënave për shkak të hetimeve tona. Jemi të përkushtuar për mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve në BE dhe në të gjithë botën”, deklaroi një zëdhënës i FB.
“Kemi hequr një numër llogarish false dhe dublikate që shkelnin politikat tona për autenticitetin… Gjithashtu morëm masa kundër faqeve që shpërndanin lajme të rreme. Ne do të shtojmë masa të tjera në rast se do të ndeshemi sërish me këto problematika”, shtoi ai.
”Njëzetë e tre faqet kishin në total më shumë ndjekës sesa faqet zyrtare të Lega-s (506 000 ndjekës) dhe L5Y (1,4 milionë) të marra së bashku. Ato kishin gjeneruar më shumë se 2,44 milionë ndjekës gjatë tre muajve të fundit”, shkruan nga ana e saj ojq-ja Avaaz./ ATA/