Krerët e shtetit nuk janë poetë. Nuk e kanë obligim të thurin poezi për të na treguar sa shumë janë prekur nga një rast tragjik duke thurur vargje të sojit “dy engjëj” janë zhdukur “në qiellin e pistë”, ose “sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi!” Sjellja e krerëve të shtetit pas rasteve të tilla tronditëse sikurse ky i fundit, do të duhej konvertuar në veprim, e jo në fjalë koti.
Nga Imer Topanica – Fol Drejt
NJË PROLOG HIPOTETIK: Presidentja Vjosa Osmani e Kryeministri Albin Kurti do të duhej ta mbanin një konferencë për shtyp, pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar; mbledhje në të cilën do të raportohej në detaje për rastin, e më pas, të kërkohej llogari nga krerët e dikastereve relevante (në rastin tonë në atij të drejtësisë dhe punëve të brendshme). Dorëheqja ose shkarkimi i ministrave që kanë dështuar ta mbikëqyrin dhe përmirësojnë sistemin, do të duhej të ishte një ndër fjalitë e shkurtra në lajmet qendrore ose në kumtesën zyrtare të lëshuar nga qeveria. Akti i fundit i zinxhirit të veprimeve emergjente, por jo më pak i rëndësishmi, do të duhej të ndërlidhej me identifikimin dhe arrestimin e kriminelit.
Logjika e vajtimeve histerike nëpër rrjete sociale nga presidentja, kryeministri, ministrat e deputetët, duhet të ndërrojë një herë e mirë. Kjo s’manifeston, veçse, një dhunë të një tjetër dimensioni: atij psikologjik mbi qytetarët. Të krijohet përshtypja që çdo i dyti zyrtar i lartë i shtetit, çdo i dyti deputet, ndjehet i përmbushur nëse e shkruan një status në llogarinë e tij në rrjetin social, sikur me këtë rast, e ka kryer detyrën ndaj qytetarit. Këtij të fundit nga ana tjetër, sikur s’i mbetet tjetër zgjidhje veç t’i përvjel mëngët e t’i zgjidh problemet vetë, ose të ikë në një vend ku rolet luhen ndryshe (sidomos në një vend ku politikanët nuk qajnë në rrjetet sociale).
DISA NGA FAJTORËT: Është e qartë, Vetëm dy dekada më parë kemi kapërcyer nëpër një periudhë të errët, nëpër një luftë të egër, me vrasje e përdhunime masive. Kjo ka lënë gjurmë në psikikën tonë. Shumë prej nesh kemi shenja të traumës dhe çrregullimit të stresit Post-Traumatik (PTSD). Asnjëherë nuk është ngritur në nivel kombëtar si problem.
Sistemi arsimor ka dështuar të nxjerr breza të edukuar, në mendjet e të cilëve është e ngulitur vetëdija e lartë kritike. Në shoqërinë tonë ende nuk është mishëruar ideja e lirive dhe të drejtave elementare. Andaj qytetari ynë mund të jetojë ende në mesjetë, ku për referencë ka Kodin e Lekë Dukagjinit i cili e trajton femrën si “shakull për të bajtur”, e si “nji calikë për me bajtë sa të jetë në derë te burrit…”
Një rol negativ në këtë kontekst, pa asnjë mëdyshje, luan edhe media. Çdo dramë familjare, çdo tragjedi, shihet si një mundësi për shtim të numrit të vizitorëve dhe grumbullim të klikimeve. Çdo rrethanë, çdo segment i kronikës, merret parasysh duke e kthyer në lajm. Hiperprodhimi i lajmeve të kronikës, e përkeqëson edhe më tej depresionin kolektiv…
EPILOGU duhet të jetë shpresëdhënës. Kryeministri në një reagim, në një mënyrë, u justifikua duke thënë se:
“Pothuajse secili qytetar në Kosovë e din dhe njeh së paku një familje ku kishte apo ka dhunë. A e ka lajmëruar atë dhe sa është interesuar për të, është një çështje tjetër pastaj.”
Mirëpo pyetja shtrohet: çfarë po ndodh me rastet e identifikuara? Secili prej nesh e di që rastet që nuk raportohen, nuk kanë si të trajtohen, por problemi janë rastet e raportuara.
Mbase kot po iu bie në qafë politikanëve. Bëhet se ndërsa jam duke e shkruar fjalinë e fundit në këtë editorial, dikush ka marr përgjegjësinë… Ndoshta Ministrja Albulena Haxhiu veç ka dhënë dorëheqje. A s’tha ajo se në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, “personi përgjegjës do të jap dorëheqje”? Madje tha “dorëheqje dhe shkarkime”… apo ndoshta ajo s’i kupton këto nocione – siç e vunë në pikëpyetje aftësinë e saj disa nga kolegë të mi…