Bosi italian i mafias, Gioacchino Gammino, i njohur në rajonin e Siçilisë të Italisë dhe i kërkuar prej 20 vitesh, është kapur në Spanjë falë një fotoje që ishte shfaqur në aplikacionin e hartave të quajtur “Google Maps”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas lajmeve në mediat vendase, Gammino i kapur në operacionin e kryer në bashkëpunim të policisë spanjolle dhe italiane, ka jetuar si një qytetar i thjeshtë në qytezën 25 mijë banorëshe Galapagar në veri të Madridit për të mos ngjallur ndonjë dyshim, duke punuar në dyqan të zarzavateve dhe si kuzhinier.
Ndërkohë në lajmin e gazetës “La Repubblica” të Italisë duke u bazuar në Drejtorinë italiane të Hetimit Antimafia (DIA), në kapjen e Gammino, i cili është një ndër 100 bosat e mafias më të kërkuar, ka qenë vendimtar aplikacioni Google Maps.
Gjatë hetimit nëpërmjet Google Maps në Galapagar kanë tërhequr vërejtjen afishet “Kopshti Manu” dhe “Kuzhina Manu”, ndërsa në hetimin e thelluar është mësuar që personi i cili në faqen e tij në Facebook është prezantuar si “Shef Manuel” në të vërtetën është Gioacchino Gammino.
“Si më keni gjetur mua? Që 10 vite as familjen time nuk e telefonoj”, thuhet se Gammino i ka thënë policisë gjatë kapjes.
Mësohet se Gammino, i cili u dënua për krime të shumta mafioze dhe u kap për herë të parë në Barcelonë në fund të viteve të 1990-ta, u arratis në mënyrë misterioze nga burgu në Romë në vitin 2002 gjatë xhirimit të një filmi dhe që atëherë është shpallur në kërkim.