Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka përshëndetur miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë e cila i adresohet Këshillit të Evropës mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të përfshira në raportin e ish-senatorit Dick Marty.
Krasniqi tha se këto pretendime kanë qenë dhe mbesin shkak i një barre të padrejtë që ka rënduar mbi shtetin e Kosovës tashmë më shumë se një dekadë.
“Institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë i kanë përmbushur të gjitha obligimet për t’i trajtuar pretendimet e tilla, përkundër se nuk mund të ketë rezultat për diçka që s’ka as bazë as lëndë. Megjithatë, ne kemi paguar e vazhdojmë të ballafaqohemi padrejtësisht me koston e atyre pretendimeve të pabaza, diçka që do të duhej të merrte epilog pikërisht nga Këshilli i Evropës, për ta çliruar të vërtetën e epokës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga fabrikimet qëllimkeqe të armiqve të lirisë dhe pavarësisë sonë. Faleminderit të gjithë deputetëve që unanimisht e votuan këtë Rezolutë, e në veçanti inicuesve dhe hartuesve të saj”, ka shkruar ai në Facebook.
Parlamenti shqiptar miratoi sot, në orët e vona të mbrëmjes, me 125 vota pro rezolutën që i konsideron të pabaza pretendimet e raportit të Dick Martyt sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e UÇK-së.