Stina e ftohjes ka ardhur dhe simptomat vazhdimisht na shqetësojnë rutinën e përditshme. Në shenjën e parë të ftohjes, pothuajse të gjithë vrapojnë drejt farmacisë dhe sipas farmacistëve, ky është pikërisht gabimi më i madh që mund të bëjmë.
Në shumicën e rasteve, vetë-mjekimi shkakton më shumë dëm sesa dobi, paralajmëroi farmacisti Abbas Kanani.
“Shumica e njerëzve shkojnë në farmaci për ilaçe që në shfaqjen e parë të simptomave të ftohjes. Megjithatë, ky është një gabim i madh, sepse nuk ka të bëjë fare me atë nëse e filloni trajtimin menjëherë ose vetëm kur simptomat bëhen më të rënda. Rezultatet janë të njëjta, thjesht i ftohti duhet të kalojë vetë”, shpjegoi farmacisti.
Më saktë, çështja është se ilaçet nuk e shërojnë ftohjen. Ato lehtësojnë vetëm simptomat që keni.
“Nuk ka shumë ndryshim kur filloni të merrni ilaçe të ftohjes , sepse ato nuk kanë asnjë efekt në natyrën e vetë virusit, i cili do të përparojë pavarësisht nëse i merrni apo jo. Të gjitha janë vetëm lehtësim simptomatik”, tha Kanani dhe shtoi se ftohja klasike zgjat mesatarisht deri në 10 ditë.
Një gabim i rrezikshëm
Një tjetër nga gabimet më të shpeshta është përdorimi i antibiotikëve të vjetër. Ata gjithashtu nuk mund të ndihmojnë në trajtimin e ftohjes, dhe përveç kësaj, marrja e antibiotikëve që keni përdorur për trajtimet e kaluara mund të jetë e rrezikshme, raporton City Magazine.
“Shumica e ftohjeve shkaktohen nga viruset, jo nga bakteret, kështu që nuk ka absolutisht nevojë për të marrë antibiotikë, por disa njerëz ende vendosin të marrin antibiotikë që kanë mbetur nga më parë. Mos e bëj këtë. Është vetëm një ftohje, thjesht një infeksion viral, do të kalojë”, shpjegoi farmacisti.
Ai gjithashtu paralajmëroi kundër marrjes së pamjaftueshme të lëngjeve.
“Hidratimi dhe ushqyerja e duhur janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shëndetin tuaj dhe janë veçanërisht të rëndësishme kur jeni të ftohur. Dehidratimi do t’ju rëndojë edhe më shumë, sepse trupi juaj duhet të punojë shumë më shumë kur nuk është i hidratuar. Prandaj sigurohuni që të pini mjaftueshëm lëngje. Gjithashtu, kini kujdes ushqimin që merrni sepse edhe pse mund të keni një oreks më të dobët kur jeni të sëmurë, mos i anashkaloni rastësisht vaktet sepse kjo vetëm do t’ju bëjë të ndiheni më keq”, tha Kanani, transmeton Fol Drejt.