Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, mirëpriti në takim Drejtorin e Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, Massimiliano Paolucci, me të ç’rast bashkëbiseduan rreth mundësive të thellimit të bashkëpunimit të cilat kanë për synim ngritjen e kapaciteteve bujqësore të vendit përmes investimeve në ujitje.
Gjatë këtij takimi, Ministri Peci tha se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të vazhdojë të punojë ngushtë me partnerë vendorë e ndërkombëtarë për të zbatuar projekte dhe iniciativa të përbashkëta që për qëllim kanë mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. “Me qëllim që t’i adresojmë në mënyrë sa më efikase sfidat e sektorit, Banka Botërore si një partner i rëndësishëm vijon ta mbështes vendin tonë nëpërmjet instrumenteve financiare dhe asistencës teknike, me ç’rast kam kënaqësinë që së shpejti përmes fondeve të Bashkimit Evropian dhe partnerit implementues; Bankës Botërore do ta nënshkruajmë një marrëveshje bashkëpunimi për një grant të ri në vlerë prej 10 milionë euro për investime në ujitje”, tha mes tjerash Ministri Peci, përcjell Fol Drejt.
Nga ana e tij, z. Paolucci përshëndeti angazhimin e Ministrit Peci në orientimin e politikave zhvillimore për arritjen e objektivave të tij strategjike për avancimin e sektorit bujqësor në Kosovë./FolDrejt/