Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka publikuar sot një njoftim të rëndësishëm për familjet në nevojë.
Këtyre familjeve që nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e energjisë elektrike nuk do t’u ndërpriten dritat.
Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar Rregulloren mbi kushtet specifike për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike të klientëve në nevojë, ku përcakton të drejtat e familjeve në pamundësi ekonomike për të pasur energji, pavarësisht faktit nëse mund ta paguajnë atë në kohë ose jo.
OSHEE, nuk mund të ndërpresë energjinë elektrike për këtë kategori, përveçse kur brenda 1 viti kalendarik, abonenti nuk ka pranuar asnjë nga programet apo planet e pagesës që i është ofruar nga furnizuesi, apo kur në 4 muajt e fundit ai nuk ka pranuar të paguajë energjinë elektrike sipas planit të rënë më parë dakord. Gjithashtu, klientëve në nevojë nuk do t’u ndërpritet energjia elektrike edhe kur temperaturat ditore kapin nivelin e minus 15 gradë celsius.