Zyrtari amerikan i sëmundjeve infektive, Anthony Fauci tha se vaksina e AstraZenecas ka efikasitet të mirë.
“Unë mendoj se vaksina e AstraZeneca është një vaksinë e mirë për sa i përket efikasitetit dhe nëse zgjidhen shqetësimet e sigurisë në Bashkimin Evropian, efektiviteti i vaksinës është me të vërtetë mjaft i mirë”, tha Fauci.
Rregullatorët evropianë po testojnë vaksinën AstraZeneca për shfaqjen e mpiksjeve, ndërsa ende nuk është aprovuar në Shtetet e Bashkuara.
Rregullatorët evropianë kanë identifikuar një lidhje të mundshme midis vaksinave dhe mpiksjeve, por theksojnë se përfitimet e vaksinave tejkalojnë rreziqet.
Më shumë se dymbëdhjetë vende pezulluan përdorimin e vaksinës për një kohë, por më pas vazhduan ta përdorin atë, me disa që futën një kufi minimal moshe, përfshirë Francën, Holandën dhe Gjermaninë.
Vaksina AstraZeneca deri më tani është më e lira dhe nuk kërkon kushte të veçanta ruajtjeje në temperatura jashtëzakonisht të ulëta si disa vaksina, prandaj është vaksina kryesore në shumë fushata vaksinimi.