Nga kjo e enjte emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, pritet të zhvillojë takime me zyrtarët nga Kosova dhe Serbia, për atë që është cilësuar si faza implementuese e marrëveshjes së fundit të Brukselit, të arritur në parim – shkruan Fol Drejt.
Më saktësisht, Lajçak pritet të qëndrojë të enjten dhe të premten në Kosovë, ku do të takohet me Kryeministrin Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të opozitës.
Këtë e bëri të ditur Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri.
Stano tha se pas vizitës në Prishtinë, Lajçak do të zhvillojë takime në Beograd në datat 13 dhe 14.
Propozimi i BE-së i arritur në parim ndërmjet palëve, po shihet nga BE dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një mundësi e mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe për stabilizim të raporteve të ndërsjella. De facto, palët do ta njohin subjektivitetin e njëra tjetrës dhe po ashtu do t’ia hapin rrugën njëra tjetrës për integrime euroatlantike./FolDrejt/