Nga e hëna e 1 qershorit, në Kosovë ka filluar faza e tretë e lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19. Në këtë fazë janë hapur kafiteritë, çerdhet, qendrat tregtare e kufijtë tokësorë. Në komunën e Prishtinës, ku deri më tani janë shënuar 86 raste të konfirmuara me COVID-19, lëvizjet e qytetarëve janë shtuar dukshëm pas lehtësimit të masave. Drejtori i Inspeksionit të Prishtinës, Adonis Tahiri, tha për Express se inspektimet në kryeqytet po vazhdojnë, për të parë nëse masat po respektohen
Me lehtësimin e masave kanë filluar edhe daljet masive të qytetarëve në të gjitha qytetet e Kosovës.
Dalje të shumta të qytetarëve po vërehen edhe në Prishtinë.
Por, hapja e çerdheve, kafiterive, restoranteve e qendrave tregtare, me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duhet të bëhet duke respektuar masat.
Dorëzat, maskat dhe mbajtja e distancës fizike janë të domosdoshme në të gjitha vendet të cilat qytetarët frekuentojnë.
Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se inspektimet në kryeqytet po vazhdojnë edhe pas lehtësimit të masave.
“Tashmë janë rikthyer në punë të gjithë, me orar të rregullt dhe nëpër zonat e veta në terren. Inspektimet janë të vazhdueshme, jo vetëm për masat për parandalimin e shpërndarjes së virusit, por për të gjitha çështjet më të cilat merret drejtoria jonë”, ka thënë Tahiri.
Tahiri shtoi se të gjitha organet kompetente të Komunës së Prishtinës janë koordinuar për të mbikëqyrur situatën dhe respektimin e masave ndaj pandemisë.
“Gjatë gjithë kohës, ne si Drejtori e Inspeksionit jemi në koordinim me Kabinetin e Kryetarit, Shtabin Emergjent, Policinë dhe drejtoritë tjera, ashtu që situata të menaxhohet sa më mirë”, tha Tahiri.
Faza e tretë e lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19 NË Kosovë ka nisur nga data 1 qershor.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, të dielën në një konferencë për media tha se rivlerësimi i masave do të bëhet deri më 20 qershor.