Një letër e dërguar në adresë të UEFA-s nga ana e Federatës së Futbollit të Serbisë, ka ngritur shqetësime edhe në Kosovë. Sipas Hajrullah Çekut, ministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, edhe në këtë rast bëhet fjalë për tentim të shtrembërimit të fakteve, shkruan Fol Drejt.
Ministri Çeku ka reaguar nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, ku ndër të tjera thekson se Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, “përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.” Sipas tij “Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë.”
Ky është postimi i plotë i Çekut:
Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut.
Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.
Federatat e sportit të Kosovës për kohë të gjatë i kanë ftuar klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë.
Për vite, federatat e sportit të Serbisë kanë organizuar aktivitet paralel dhe ilegal si pjesë e kampionateve të tyre zyrtare në zona të caktuara brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndërmjetësuar nga BE, veç tjerash, parasheh marrëdhënie të barabarta dhe të fqinjësisë së mirë. Palët gjithashtu janë pajtuar të mos e përfaqësojnë njëra-tjetrën ndërkombëtarisht.
Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat europiane e botërore të sportit.
Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës.