Libri më i ri i Ferdi Kamberit “Komunikimi Politik me Publikun” është një ngjizje e analizës socio-politike dhe një vështrim kritik mbi sferën e komunikimit politik dhe komunikimin në përgjithësi, me fokus realitetin kosovar.
Dr. Kamberi në një intervistë ekskluzive për Fol Drejt, ka folur rreth përmbajtjes së tij.
Fol Drejt: Z. Kamberi, sapo keni publikuar librin “Komunikimi Politik me Publikun”, çfarë përmbajtje në të vërtetë ka ky libër?
Kamberi: Libri me titull ‘Komunikim politik me publikun – metodat dhe teknikat efektive për një sukses në zgjedhjet politike’ është një libër i cili ngërthen temën e sociologjisë së komunikimit dhe atë të sociologjisë politike. Libri flet për detaje të komunikimit nga këndvështrimi sociologjik dhe detaje tjera të cilat kanë rol dhe rëndësi gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, komunikimit politik, tipologjisë së kulturës së komunikimit, të folurit në publik, marrëdhënieve me publikun, si dhe çështje relevante. Gjithashtu, libri është një udhëzues i cili ju shërben partive politike, politikanëve, organizatave të shoqërisë civile, studentëve, studiuesve, si dhe të gjithë qytetarëve dhe profesionistëve që duan të jenë të pranueshëm dhe ta bëjnë publikun për vete.
Libri është i ndarë në tri pjesë: Pjesa e parë fokusohet në komunikimin dhe marrëdhëniet me publikun, përkatësisht në ontologjinë e zhvillimit të komunikimit, rolin dhe rëndësinë, tipologjinë, elementet e komunikimit, kulturën e komunikimit, edukimin media, si dhe barrierat gjatë komunikimit. Pjesa e dytë trajton partitë politike dhe edukimin politik, respektivisht raportin mes demokracisë dhe pluralizmit politik, partitë politike dhe kulturën politike, tema këto goxha aktuale edhe në mjediset tona sociale. Gjithashtu, vend kanë zënë edhe temat si: roli i komunikimit politik me qytetarë, komunikimi dhe gjuha e trupit përfshirë këtu shembujt e ilustruar sipas studimeve të fundit, kodi i veshjes në politikë dhe psikologjia e ngjyrave, nuancave dhe pasqyrimi para publikut, si dhe të folurit në publik dhe hapësirat ndërpersonale, të cilat paraqesin një rol të rëndësishëm gjatë komunikimit me qytetarë. Në pjesën e tretë dhe të fundit, libri zgjerohet më shumë nga analizat dhe sugjerimet përkitazi me organizimin e fushatës zgjedhore dhe krijimin e model-planit të aktiviteteve, të nevojshme për partitë politike dhe pluralizmin partiak. Në këtë pjesë, rol me rëndësi kanë temat rreth zgjedhjeve dhe fushatave zgjedhore si teste për demokracinë, ekipin për fushatën zgjedhore, rolet dhe përgjegjësitë, metoda stuhi mendimesh (brainstorming) si diçka e nevojshme gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, pastaj hapat për planin e fushatës, përfshirë këtu: hulumtimet e ndryshme dhe relevancën e tyre, vendosjen e qëllimeve të fushatës, audiencën e synuar, zhvillimin e mesazheve të fushatës, sloganet e partive politike në vendet e zhvilluara dhe komparacionet me Kosovën, kontaktimi i votuesve nga partitë politike, rëndësia e mbrojtjes së votës, si dhe “metaversi” dhe e ardhmja e fushatave zgjedhore.
Fol Drejt: Thoni se libri është një ngjizje e analizës socio-politike dhe një vështrim kritik mbi sferën e komunikimit politik dhe komunikimin në përgjithësi, me fokus realitetin kosovar, a e keni marr për mostër skenën tonë politike? Partitë politike?
Kamberi: Në fakt, ideja e këtij libri ka ardhur si rezultat i nevojës së një komunikimi të mirëfillt të akterëve politik në raport me publikun, gjuhës së zbehet e cila shpeshherë përdoret në mjediset sociale si dhe ato mediale, gjuhën seksiste, dhënien e hapësirës më shumë për burrat sesa për gratë, tipologjinë e kulturës së komunikimit gjatë diskurseve sociale, si dhe aspekte tjera të sfondit të komunikologjisë me të cilat çdo ditë ballafaqohet qytetari kosovar. Në kuadër të këtij libri, është përdorur një metodologji e kombinuar, sepse përveç shqyrtimit, analizës dhe krahasimit të literaturës parësore dhe sekondare, është zhvilluar një hulumtim empirik përmes formës virtuale gjatë kohës së pandemisë së Covid 19 me 350 respodentë, ku fokusi më i madh i është dhënë komunikimit dhe raportit me publikun nga akterët politikë, gjuhës, integritetit, gjuhës së trupit, sloganeve, mesazhit, formave të kampanjave zgjedhore, shfrytëzimit të mjeteve teknologjike për të arritur deri tek votuesi e deri tek model plani efikas për organizimin dhe planifikimin e zgjedhjeve politike në vend. Prandaj, në kuadër të këtij hulumtimi ne kemi ngritur disa pyetje të cilat sillen në mendjet e qytetarëve nga të cilët kemi marrë përgjigje interesante, të cilat i kemi pasqyruar në pjesën e fundit të librit. Pyetjet e tilla përfshijnë pyetjet: Cili është roli i komunikimit, në veçanti atij politik? Sa ndikon kultura e debatit në formësimin dhe ngritjen/ uljen e një politikani/e? Çfarë thonë studimet rreth kombinimit të ngjyrave të politikanëve me famë botërore ose çfarë sinjali japin ato? Çfarë thonë për gjuhën e trupit? Si duhet të përgatitemi për një fushatë zgjedhore? Cila është domethënia e sloganeve të partive politike, përfshirë Kosovën? A kanë rëndësi ngjyrat dhe sloganet? Cili është ekipi fitues i fushatës zgjedhore dhe në çka duhet të fokusohet ai? Cila do të jetë e ardhmja e fushatave zgjedhore në epokën e “metaversit?. Të gjitha këto pyetje tregojnë se libri ka prekur çështjet aktuale politike në vend, duke marrë edhe shembuj nga vendet e zhvilluara dhe duke gërshetuar apo vendosur si modele të cilat mund të jenë të mirë se ardhura për Kosovën e cila si shtet ende është në tranzicion.
Libri po ashtu është një udhëzues i mirë i cili mund t’ju shërbejë të gjithë akterëve të cilët synojnë që të merren me politikë, përkatësisht jep udhëzime se si duhet shfrytëzuar komunikimi, cili duhet të jetë raporti me qytetarin, si duhet shfrytëzuar mediat ne veçanti ato sociale, ç’thonë studimet nga sfera psikologjike, sociale dhe politike për dukjen, imazhin, sloganin e partive politike, qëndrimet, sjelljet, kulturën politike, si dhe shumë tema tjera, ku lexuesi mund vlerësoj më së miri.
Fol Drejt: Kujt mendoni se i hyn më shumë në punë?
Kamberi: Konsideroj se libri mund t’ju hyj në punë të gjithë akterëve politikë të cilët politikën e shohin jo vetëm si profesionin, por edhe si pasion, pastaj ai mund t’ju shërben partive politike, politikanëve, organizatave të shoqërisë civile, studentëve, studiuesve, si dhe të gjithë qytetarëve dhe profesionistëve që duan të jenë të pranueshëm dhe ta bëjnë publikun për vete. Tashmë është bërë edhe trend që librat të fokusohen me gjëra konkrete sa i përket komunikimit dhe si të bëjnë publikun për vete. Ndaj, e veçanta e këtij libri është fakti se ai është njëherit udhëzues ku burimet kryesore i ka në udhëzimet e NDI-të rreth planifikimit dhe organizimit të fushatave zgjedhore, MasterClass si platformë e cila fokus ka marrëdhëniet me publikun, studimet nga Pew Research si një ndër institutet me renome ndërkombëtar, si dhe hulumtimi i zhvilluar me 350 respodentë përmes formës virtuale si hulumtim i cili mundet të zgjerohet në të ardhmen dhe t’ju shërbejë akterëve të cilët në një ose tjetrën mënyrë e gjejnë vetën aty.
Fol Drejt: A ka hapësirë për “përmirësim” të kulturës së komunikimit në mjedisin tonë?
Kamberi: Kultura në mikroskopin sociologjik përfshinë vlerat, normat dhe çdo gjë që ka krijuar mendja apo dora e njeriut. Kultura pasqyrohet në sjelljet dhe qëndrimet tona, ajo është pjesë e identitetit personal, familjar dhe shoqëror. Përmes saj ne shfaqim edhe kulturën familjare, institucionale, fetare, partiake, etj. Kultura e komunikimit është pjesë e integritetit personal dhe jo vetëm. Ajo shfaqet në institucionet publike dhe ato private, në organizatat e ndryshme, në partitë politike, në mediat e kështu me radhë. Ndaj, gjatë dekadave të fundit, kemi qenë dëshmitarë të asaj që shpeshherë gjatë diskurseve publike sidomos nga politikanë dhe akterë politikë, demokracia është zbehur si rezultat i mungesës së një kulture demokratike, ku shpeshherë protagonistët kanë përdorur fyerje, sharje, i kanë marrë gjërat shumë personale, kanë krijuar një modelim social negativ, sidomos për gjeneratat e reja, pasi që sipas psikologut kanadez Bandura, fëmijët janë ata sidomos që marrin/vjelin sjelljet e tjerëve pa bërë ndonjë selektim. Ndaj, kjo edhe e ka zbehur dukshëm kulturën politike dhe demokratike në vend. Mirëpo, besojmë që me ndryshimet dhe zhvillimet sociale, shfrytëzimin e mjeteve teknologjike, edukimin joformal, trajnimet, shkëmbimin e përvojave të ndryshme sidomos ato perëndimore, të cilat kanë përvojë dukshëm të madhe në këtë drejtim, kultura e komunikimit në mjedisin social kosovar mund të avancohet dhe të ketë një stad tjetër. Ky fakt arrihet atëherë kur pranohet kritika si diçka konstruktive, ka një simetri të panelistëve gjatë diskursit social, jepen mesazhe të qarta, ku synim duhet të jetë qytetari dhe jo interesi vetjak. Gjithashtu, marr parasysh faktin që një pjesë e të rinjve kanë përvojë të madhe në vendet perëndimore, atë përvojë mund të sjellin në mjedisin tonë social dhe mbi bazën e saj të zhvillohet një kulturë demokratike. Një gjë e tillë në vitet e fundit vetëm ka nisur të ndodhë, sidomos kur partitë politike kanë angazhuar edhe kompani të huaja për planifikimin dhe organizimin e zgjedhjeve, si dhe tani shumë akterë lokal kanë krijuar edhe kompanitë e marrëdhënieve me publikun, me të vetmin qëllim që të ‘bëhet diçka më ndryshe’. Pra, shoqëria kosovare ka nevojë të sheh ndryshimet në diskursin social dhe atë medial përmes një konkurrence të mirëfilltë politike, pa një gjuhë denigruese, me një elokuencë, një kulturë diskursi social, një model të politikanëve sidomos të rinj, ku gjeneratat e reja tek të gjitha partitë politike në vend si duket janë goxha premtues për një ‘orientim të krejtësisht të ri’.
Fol Drejt: Kush ju ka mbështetur dhe ku mund ta gjejnë lexuesit?
Kamberi: Lidhur me elaborimin e librit deri tek publikimi i tij, kanë dhe kontribut jashtëzakonisht të lartë kolegët, profesorët, miqtë dhe bashkëpunëtorët tjerë. Recensentët të librit janë: Prof. Dr. Bekim Baliqi dhe Prof. Asoc. Dr. Besim Gollopeni, redaktor Arsim Murseli, lektore Medina Mehmeti, disejni është bërë nga Bardh Abazi dhe libri është publikuar nga shtëpia botuese Libraria Albas Prishtinë, ku edhe mund ta gjejnë lexuesit. Duhet falënderuar komunën e Prishtinës, respektivisht drejtorinë e kulturës e cila ka financuar pjesërisht këtë libër, duke e bërë pjesë të projektit të tyre./FolDrejt/