Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të kërkuar për posedim të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge, shkruan Fol Drejt.
“Sot, në ora 18:00, derisa policët e Njësisë së Komunikacionit Rrugor ishin në pikë kontrolli në rrugën magjistrale Ferizaj -Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve kanë ndaluar një automjet, shoferi i së cilës kishte bërë kundërvajtje tejkalim të shpejtësisë dhe pas kontrollimit të dokumenteve ndaj të njëjtit inicohet procedurë gjyqësore për tejkalim të shpejtësisë dhe drejtim i automjetit pa patent shoferi, mirëpo pas verifikimit të tij rezulton se F.A (M/K) i moshës 23 vjeçar ishte në kërkim policor.”, shkruan në raportin policor.
Policia theksoi se ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge” me dënim burgimi prej tetë muajsh dhe i njëjti është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj.
“Gjatë kompletimit të dokumentacionit dhe përgatitjeve për ta dërguar në vuajtje të dënimit, F.A ka sulmuar dy zyrtarë policor dhe ka dëmtuar derën e një zyre të stacionit të policisë. Ndaj tij me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është inicuar edhe një rast penal ” Sulm ndaj personit zyrtar dhe dëmtim i pronës publike” dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit për procedura tjera.”, thuhet tutje në komunikatë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka përsëritur se do të vazhdojë me realizimin e urdhëresave të gjykatës ndaj personave që ende nuk iu kanë përgjigjur thirrjes së gjykatës. /FolDrejt/