Prodhuesi i makinave luksoze Ferrari ka bërë të ditur se ka qenë objektiv i një sulmi kibernetik ndaj të dhënave konfidenciale të klientëve të caktuar në mbarë botën dhe se ka marrë një kërkesë për shpërblim.
Ferrari “kohët e fundit mori një kërkesë për shpërblim në lidhje me të dhëna të caktuara të klientëve të saj”, tha prodhuesi në një deklaratë.
Hakerët “kishin akses në të dhëna të caktuara që lidhen me klientët tanë, si emrat, adresat, adresat e emailit dhe numrat e telefonit, por jo detajet bankare”, tha një zëdhënës i Ferrarit për AFP të martën.
“Sipas njohurive tona, deri më tani nuk është publikuar asgjë në internet. Po e monitorojmë nga afër situatën”, shtoi ai.
Ferrari nuk do të pranojë të paguajë shpërblimin, “sepse pagimi i kërkesave të tilla do të financonte aktivitetet kriminale dhe do të lejonte aktorët e kërcënimit të vazhdojnë sulmet e tyre,” thekson prodhuesi.
Ky sulm kibernetik “nuk kishte ndikim në operacionet e kompanisë sonë”, siguron Ferrari.
Me marrjen e kërkesës për shpërblim, “ne filluam menjëherë një hetim në bashkëpunim me një kompani udhëheqëse ndërkombëtare të sigurisë kibernetike” dhe “njoftuam autoritetet kompetente”, shton prodhuesi.
CEO Benedetto Vinja u dërgoi një letër klientëve të markës prestigjioze duke i informuar ata për incidentin.
Prodhuesi dorëzoi gjithsej 13,221 makina në mbarë botën vitin e kaluar, një rritje prej 18.5 përqind. /FolDrejt/