Festa e mbrëmjes së 18 shkurtit, në fshatin Zllatar të komunës së Prishtinës, u kthye në tragjedi.
Zyrtari policor, Lirim Haxholli, humbi jetën pas një plagosje aksidentale me armë zjarri.
Polici që u qëllua ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, por nuk ka arritur t’i mbijetojë plagëve të marra.
I njëjti dyshohet se është qëlluar nga kolegu i tij.
Rasti u konfirmua nga organet e rendit përmes raportit.
“Një zyrtar policor, mashkull kosovar, ka vdekur pasi që është qëlluar me armë zjarri aksidentalisht nga i dyshuari mashkull kosovar gjatë një ndeje”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Prokurori i shtetit ka autorizuar IPK-në që të merren të gjitha veprimet lidhur me rastin”, vijonte njoftimi.
Sipas njoftimit u bë e ditur se i dyshuari është arrestuar.
Të pranishëm në këtë rast, sipas IPK-së ishin 15 policë.