Duke marrë parasysh që festat e fundvitit po afrohen, Policia Rajonale e Ferizajt, sot në prani edhe të medieve lokale ka shpërndarë fletëpalosje – këshilla për qytetarët, në mënyrë që ata t’i marrin masat e nevojshme që festat e fundvitit të kalojnë pa incidente.
Sipas njoftimit të Policisë, patrullat e Policisë Rajonale janë të fokusuara në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në mbarë rajonin për sigurinë e secilit qytetarë.
“Pjesë e kësaj fushate është edhe shtimi i prezencës policore në ambiente të hapura, në sheshe, në lokale të ndryshme, ku mbahen organizime festive, si dhe në trafikun rrugor që festat e fund vitit të kalojnë pa incidente dhe aksidente në rrugë.Policia përmes kësaj fushate apelon te qytetarët që të bëjnë kujdes për sigurinë e tyre dhe të tjerëve, me theks të veçantë që përdorimi i armëve në festa dhe gëzime mund të shndërrohet në tragjedi, po ashtu është edhe e ndaluar me ligj, personat e mitur duhet të rrinë larg nga armët e zjarrit, përdorimi i armëve lejohet vetëm në vendet e sigurta dhe të licencuara për përdorim ( Poligon), personat fizik që kanë armë personale dhe të cilët posedojnë leje nga MPB duhet t’i mbajnë në vend të sigurt, përdorimi i fishekzjarrëve është i rrezikshëm për fëmijë, ndezja e fishekzjarrëve duhet të bëhet dhe të mbikëqyret nga të rriturit”, thuhet në njoftim.
Kësisoj, Policia Rajonale e Ferizajt do të shpërndajë fletëpalosje edhe në komunat tjera: Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani Elezit, me qëllim parandalimin e parandalimin e incidenteve. /Telegrafi/