Presidenti Joe Biden foli të martën në Filadelfia, në vendlindjen e kushtetutës amerikane, për të deklaruar se manovrimi republikan po e vendos demokracinë në rrezikun më të madh që nga Lufta Civile.
Fjalimi në qytetin ku u hartua dhe u nënshkrua dokumenti themeltar i sistemit demokratik amerikan në vitin 1787 ishte përpjekja e profilit më të lartë deri më tani e Presidentit Biden, në një polemikë për të cilën republikanët dhe demokratët përdorin terma të forta.
Sipas Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve të Kongresit, republikanët po përdorin legjislaturat e shteteve për të kufizuar të drejtat e votimit në të gjithë vendin, nën mbulimin e rritjes së sigurisë së zgjedhjeve.
Të udhëhequr nga ish-Presidenti Donald Trump dhe fushata e tij e paprecedentë dhe e bazuar në të pavërteta për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhje përballë Presidentit Biden, republikanët këmbëngulin se duhen rregulla më të ashpra votimi për të goditur manipulimin elektoral.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha të hënën se Presidenti Biden do të “parashtronte çështjen morale se përse mohimi i së drejtës për të votuar është një formë e shtypjes dhe një formë e heshtjes”.
Jen Psaki duke folur gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë
Jen Psaki duke folur gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Biden e sheh këtë si “sfidën më të keqe për demokracinë tonë që nga Lufta Civile”, tha ajo.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë ndryshimi mund të sjellë Presidenti Biden.
Duke qenë se kanë vetëm një shumicë të ngushtë, demokratët në Kongres janë përpjekur dhe nuk kanë arritur të miratojnë ligje federale që do të mbronin qasjen tek vota.
Ngërçi ka sjellë në qendër të vëmendjes rregullin e Senatit të njohur si ‘filibuster’ ku sipas zakonit – megjithëse jo me ligj – duhen 60 nga 100 senatorët për të miratuar shumicën e ligjeve.
Kjo mundëson që republikanët të mund të bllokojnë me lehtësi çdo projektligj, pasi Senati është i ndarë 50-50. Megjithatë, Presidenti Biden ka hezituar të nxisë një ndryshim të këtij rregulli.
Në episodin më dramatik të luftës së vazhdueshme për qasjen tek vota, ligjvënësit demokratë në Teksas u larguan nga shteti të hënën për të parandaluar një kuorum në legjislaturë, ku shumica republikane ishte gati të votonte për kufizime të reja.
Eksodi i demokratëve ishte hera e dytë që ata përdorin këtë taktikë të pazakontë për të shmangur projektligjin. Teksanët u drejtuan për në Uashington ku po lobojnë ligjvënësit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të nxitur miratimin e ligjeve federale për mbrojtjen e votës.