Kryeministri armen, Pashinyan tha se kanë filluar punimet teknike për pjesën e hekurudhës që kalon në Armeni dhe e cila do të lidhë Republikën Autonome të Nakhchivan-it me qytetet perëndimore të Azerbajxhanit.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan tha se kanë filluar punimet teknike për pjesën e hekurudhës që kalon në Armeni dhe e cila do të lidhë Republikën Autonome të Nakhchivan-it me qytetet perëndimore të Azerbajxhanit, shkruan AA.
Në një fjalim në mbledhjen e Këshillit të ministrave, Pashinyan theksoi se do të shpallin tender për të filluar ndërtimin e pjesës Sisian-Kajaran të rrugës tokësore (korridorit) Veri-Jug.
“Rruga e re nuk do të lidhë me njëra-tjetrën vetëm Armeninë me Iranin. Sigurisht që nëse sigurohet dakordim politik rruga Veri-Jug mund të bashkojë edhe Azerbajxhanin, Armeninë dhe Turqinë”, tha Pashinyan.
Për hekurudhën që do të lidhë qytetet perëndimore të Azerbajxhanit me Republikën Autonome të Nakhchivan-it, kryeministri Pashinyan tha se “Kanë filluar punimet teknike për pjesën që kalon nga Armenia për hekurudhën (Arazdayan) Yeraskh – Julfa – Ordubad – Mehri – Horadiz. Shpresojmë që dakordimet e arritura të bëhen marrëveshje në të ardhmen e afërt (me Azerbajxhanin) dhe që procesi të tregojë zhvillim të plotë”, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratat trepalëshe që u nënshkruan mes Azerbajxhanit, Armenisë dhe Rusisë pas Luftës së Dytë të Karabakut, ishte theksuar hapja e të gjitha linjave të transportit në rajon.
Pas takimit trepalësh që presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel zhvilloi në Bruksel më 15 dhjetor 2021 me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe me Pashinyan, liderët njoftuan se ranë dakord për restaurimin e linjave hekurudhore mes dy vendeve./FolDrejt/