Burime të “Betimi për Drejtësi” brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, konfirmojnë se sot në një aksion të koordinuar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP) dhe Policinë e Kosovës (PK), kanë filluar largimin e kamerave ilegale nga rrugët e Shtërpcës.
I gjithë aksioni është duke u ndërmarrë në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi këto kamera kanë regjistruar dhe përpunuar të dhëna perosonale të qytetarëve pa u ditur se nga kush po bëhen, pra pa u përmbushur kriteret ligjore.
Shkelja e të dhënave personale është një fenomen për të cilin vazhdimisht ka ankesa, e një mënyrë e shkeljes së të dhënave është edhe ajo e vendosjes së kamerave ilegale.
Çështja e domosdoshmërisë vendosjes së kamerave në hapësirat publike ku është e nevojshme është përmendur shumë herë si e metë e Komunave, sidomos në Prishtinë, teksa është theksuar se në hapësirat ku nuk lejohen, janë të vendosura ato.
Pavarësisht se ligjin për mbrojtjen e të dhënave, e përcakton qartë se cilat janë ato të dhëna që duhet të mbrohen e që nuk e shkelin ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, shkeljet vazhdojnë të ndodhin dhe se vendosja e kamerave pa një leje përkatëse, e ka shtuar nevojën edhe të rishikimit të ligjit, për shkak se shumë herë kamerat që vendosen në shtëpi, kapin edhe hapësira që e tejkalojnë hapësirën private.
Në emisionin me titull “Sfidat për transparencë dhe mbrojtje të privatësisë”, në “Tempus”, komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dermaku, kishte deklaruar se Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) pas pranimit të ankesave për vëzhgim me kamera ilegale, merr vendim për ndalim dhe shkatërrim të të dhënave.
“Sa i përket kamerave, e thash që kemi pas ankesa edhe prej qytetarëve, normalisht këto shkojnë menjëherë me ndalim dhe shkatërrim të të dhënave. Ka raste kur i kemi mbyllur me këshilla se pasi ka ardhur ankesa, pasi ka dalë inspektimi kanë gjet që kamera nuk ekziston fare, domethënë kanë reagu ndoshta komshiu-komshiut kur i ka thënë pse ma ke vu kamerën kah shtëpia ime, edhe në raste të tilla AIP menjëherë ka vepru dhe i ka heq. Mirëpo, në përgjithësi tani që jemi te vëzhgimi me kamerë, duhet ta përmendi vendimin që e kemi marrë në vitin 2021 me Komunën e Pejës, ku Komuna e Pejës ka bërë vëzhgim të hapësirave publike dhe me një sinjalizim që e ka bërë zyrtari për mbrojtjen e të dhënave në Komunën e Pejës, ne e kemi ndalu aty përpunimin dhe kamerat kanë kalu në pronësi dhe mbikëqyrje të Policisë së Kosovës, e cila është i vetmi autoritet që ka të drejtë vëzhgimin me kamera në hapësira publike”, ka thënë Sogojeva-Dermaku.
Ajo kishte thënë se e kanë një plan operativ shumë të qartë dhe të matshëm për t’i bërë inspektimet e rregullta nëpër komuna dhe pjesë e inspektimit tha se padyshim që do të jetë edhe çështja e vëzhgimit me kamerë, për të cilat tha se konsiderojnë që në shumicën e rasteve do t’i mbyllin me formën e vendimit për ndalim dhe shkatërrim të të dhënave.
Ndërsa, në rastet kur gjejnë shkelje të publikimit apo e vendosjes nga ana e personave fizikë privatë, por edhe personave juridikë që nuk është Komuna, atëherë tha se do të veprojnë dipas dispozitave dhe obligimeve që i kanë.
Sogojeva-Dërmaku në “Tempus”, po ashtu kishte thënë se mënyrat më të përhapura të shkeljes së të dhënave personale janë marketingu i drejtpërdrejtë dhe vëzhgimi me kamera.
“Kur kemi të bëjmë me shkelje më të mëdha, kur kontrolluesi e bën përpunimin e të dhënave pa pëlqimin e palës, kur kontrolluesi bën publikimin e të dhënave, atëherë gjobat shkojnë prej 20 mijë deri në 40 mijë apo edhe me 4% të qarkullimit të vitit paraprak vjetor”, tha ajo. /BetimipërDrejtësi/