Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK), ka uruar punëtorët arsimorë me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë, në arsimin parauniversitar, transmeton Fol Drejt.
Me këtë rast SBAShK i ka lutur të angazhohen maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së për ruajtur kështu shëndetin e nxënësve tanë dhe tyre:
“Urojmë që të kemi sa më pak telashe e vështirësi me pandeminë dhe të vazhdojmë betejën për dije të reja edhe përkundër mungesës së kushteve për punë dhe të mjeteve bashkëkohore të mësimit. Gatishmëria dhe vullneti juaj në misionin e shenjtë të edukimit e arsimimit të brezave na bën të ndjehemi krenar dhe Ju premtojmë se ne do të vazhdojmë ta ruajmë besimin tuaj duke u angazhuar tani e gjithmonë që të jemi zë i juaji dhe të realizojmë kërkesat tuaja legjitime.”
Po ashtu, kjo sindikatë i ka uruar punëtorët e arsimit për gatishmërinë dhe angazhimin që gjysmëvjetori i dytë të nis me sukses.
“Ju lusim të angazhoheni maksimalisht në respektimin e rekomandimeve të IKSHPK-së duke ruajtur kështu shëndetin e nxënësve tanë dhe shëndetin tuaj. Ju përgëzojmë edhe për gatishmërinë e shprehur vazhdimisht që të angazhoheni e të veproni sipas vendimeve të institucioneve përgjegjëse lidhur me situatat që mund të krijohen, sepse fatkeqësisht numri i të prekurve me Covid edhe në Kosovë sa vjen e shtohet. Besojmë se ndonjë mesazh përgëzimi e mbështetjeje i institucioneve të Kosovës do të na jepte kurajë e forcë shtesë për ta realizuar më lehtë misionin e shenjtë për edukimin dhe arsimimin e brezave. Na priftë e mbara dhe paçim rrjedhë të mbarë gjatë gjithë gjysmëvjetorit të dytë”, thuhet në komunikatën e SBASHK./FolDrejt/