Prishtinë – Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka filluar rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarit Lirak Latifi për vrasjen e rëndë në tentativë dhe sulmin ndaj zyrtarëve policor.
Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi bëri të ditur se gjykimi fillon rishtazi për shkak të ndryshimit të anëtares së trupit gjykues, ashtu që në vend gjykatëses Fatime Dermaku ishte gjykatësja Sulltane Hoti, raporton “Betim për Drejtësi”.
Më pas, me pajtimin e palëve, të gjitha veprimet procedurale të ndërmarra deri më tani u konsideruan të lexuara.
Seanca ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarit Kreshnik Gashi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Dulina Hamiti ka sqaruar se më 1 shkurt 2022 kishte qenë në ndërrim të pasdites si zyrtar policor në stacionin policor Qendra.
Gashi tha se po atë ditë rreth orës 19:20 kishte qenë me kolegët Berat Rama, Adriatik Nika dhe Ardit Gashi në pikë kontrolli ku edhe ishin njoftuar nga një dëshmitar se një person me një veturë është duke i shkuar prapa një personi duke e kanosur të njëjtin.
“Në atë moment ne kemi njoftuar bazën dhe kemi vazhduar drejt lokacionin ku na ka drejtuar dëshmitari. Kemi shkuar atje me veturën policore afër parkut të Arbëris dhe varrezave dhe aty kemi gjetur veturën “Polo” ngjyrë hiri dhe një person jashtë saj dhe një person i cili ishte duke kanosur personin që ishte jashtë. Në atë moment kanë dalur kolegët e mijë nga vetura dhe kemi dhënë komandat “Ndal policia”, ka thënë i dëmtuari Gashi.
Por që sipas tij, shoferi i veturës “Polo” kishte vazhduar në drejtim të tyre duke dal nga rruga kryesore në trotuar dhe duke rrezikuar së pari kolegun e tij Adriatik Nika dhe më pas atë.
I dëmtuari Gashi tha se ai kishte dëgjuar kolegun e tij Ardit Gashin duke bërtitur pasi që ishte lënduar gjatë kontaktit me veturën e cila ishte shmangur dhe larguar nga vendi i ngjarjes.
Ai tha se bashkë me kolegët e tij përmes informatave se ku banon i dyshuari kishin gjetur veturën.
“Ne kemi shkuar te shtëpia e të dyshuarit, i njëjti ishte në shtëpi. Kolegët e tjerë e kanë ndaluar dhe e kanë marrë e kanë dërguar në stacion, gjatë ndalimit në oborr i dyshuari ka qenë agresiv me kolegët e mijë. Pastaj njësia tjetër e ka dërguar në stacion policor”, tha Gashi.
I pyetur se a kishte qenë qëllimi i të dyshuarit vetëm shmangia nga policia, i dëmtuari Gashi tha se qëllimi i tij kishte qenë shmangia nga policia por që nëse ai nuk ishte shmangur në trotuar, do t’i kishte goditur.
Pasi që prokurorja e shtetit Dulina Hamiti ishte e angazhuar edhe në një gjykim tjetër, seanca e sotme është ndërprerë ndërsa e radhës u caktua më 20 korrik 2023 ku pritet të dëgjohen të dëmtuarit Berat Ramaj dhe Endrit Jerliu.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 qershor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj Lirak Latifit sepse me 1 shkurt 2022 rreth orës 19:20 derisa policia ishte në një pikë kontrolli në rrugën “Bajram Kelmendi” te varrezat në Arbëri, në Prishtinë, në atë mënyrë që zyrtarët policor me të shkruar në vendin e ngjarjes në rrugën “Pleva” në lagjen Arbëria, ku i kishin thënë të pandehurit Lirak Latifi ndal policia, i pandehuri nuk i ka zbatuar urdhrat e ligjshme të zyrtarëve policor.
Sipas aktakuzës, i njëjti me dashje dhe me qëllim që t’i privoj nga jeta, me veturën e tij “Polo”, e ka nisur veturën me shpejtësi të madhe ka hipur në trotuar dhe e ka goditur të dëmtuarin – zyrtarin policor Ardit Gashin i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare, në dorën e djathtë me ç’rast i kishte shkaktuar ndrydhje të indeve të buta të parakrahut të dorës së djathtë dhe shuplakës së dorës, plasaritje e falangës së sipërme të gishtit të madh të dorës së djathtë që si të tilla bëjnë pjesë në dëmtime të lehta trupore.
Sipas aktit akuzues në ato momente i pandehuri Latifi ka rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarve zyrtarëve policor Adritaik Nika, Kreshnik Gashi dhe Berat Ramaj të cilët ishin në kryerjen e detyrës zyrtare e më pas i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe më vonë është arrestuar nga ana e policisë.
Me këtë i akuzuari Latifi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, nga neni 173 par 1 nen par.1.9 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Latifi më 1 shkurt 2022 rreth orës 22:30 pasi ishte sjellur në stacionin policor Qendra në Prishtinë, pas ngjarjes së përshkruar në dispozitivin i të kësaj aktakuzë, i kishte sharë me fjalë fyese zyrtarët policor, ishte sjellur në mënyrë agresive dhe I kishte sulmuar zyrtarët policor – të dëmtuarit Enis Nreci, Endrit Jerliu dhe Ardit Gashi të cilët ishin në kryerjen e detyrave zyrtare e duke ju ofruar të dëmtuarit Enis Nreci, e duke ja drejtuar duart në drejtim të gjoksit.
Me këtë i akuzuari Latifi po akuzohet se ka kryer veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar nga neni 402 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.