Ka filluar samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s.
Aty po marrin pjesë liderë të 30 vendeve aleate, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Samiti i NATO-s ku marrin pjesë krerë të qeverive dhe shteteve anëtare të NATO-s, filloi në selinë e NATO-s në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel.
Në takimin ku Turqia përfaqësohet nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, marrin pjesë liderë të 30 vendeve aleate, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Liderët para takimit morën pjesë në fotografinë familjare dhe në agjendën e tyre ndodhen zhvillimet pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
Krerët e shteteve dhe qeverive që nga mbrëmë filluan takimet dypalëshe në Bruksel në kuadrin e samitit, ku do të vlerësohet qëndrimi afatgjatë i NATO-s në Evropën Lindore. Pas përfundimit të takimit parashikohet që disa liderë të vazhdojnë bisedimet dypalëshe në selinë e NATO-s.
Edhe presidenti Erdoğan, i cili u takua me presidentin francez Emmanuel Macron përpara takimit, do të ketë disa takime dypalëshe.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të bërë dje ishte shprehur se “Në samitin që do mbahet nesër do të marrim më shumë vendime. Duhet të ri-pozicionojmë parandalimin tonë”.
Stoltenberg gjithashtu informoi se do të rrisin numrin e forcave tokësore, ajrore dhe detare të aleancës në krahun lindor dhe se në fazën e parë do të vendosen më shumë ushtarë në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki./FolDrejt/