Një takim konsultativ midis Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë ka filluar në Moskë për të diskutuar mbi konfliktin në Malësinë e Karabakut, transmeton Anadolu Agency (AA).
I organizuar me iniciativë të Rusisë, takimi po mbahet midis kryediplomatit rus, Sergey Lavrov, atij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov dhe atij armen, Zohrab Mnatsakanyan.
Luftimet në Malësinë e Karabakut filluan më 27 shtator, kur forcat armene shënjestruan vendbanimet civile të Azerbajxhanit dhe pozicionet ushtarake në rajon, duke shkaktuar edhe viktima.
Marrëdhëniet midis dy republikave ish-sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.
Shumë rezoluta të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese.
Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkë-kryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA-të, u formua në vitin 1992 për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por deri më tani nuk është parë ndonjë rezultat. Megjithatë, në vitin 1994 u ra dakord për një armëpushim.
Shumë fuqi botërore, përfshirë Rusia, Franca dhe SHBA, kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm.
Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje dhe kërkoi tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.