Kosova ka shënuar një sukses tjetër në skenën kulturore, me ç’rast filmi “Bota jonë” është përzgjedhur për të garuar në Festivalin e Filmit në Venedik, transmeton Fol Drejt.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i gëzuar me suksesin, ka ngritur lart punën e regjisores Luana Bajrami dhe të aktorëve pjesëmarrës të këtij filmi.
“Me vetëm 22 vjet, regjisorja dhe aktorja Luana Bajrami, e shënon suksesin e radhës. Filmi i saj “Bota Jonë” është përzgjedhur për të garuar në Festivalin e Filmit të Venedikut, i cili gjithashtu shënon edicionin jubilar numër 80. Filmi do të garojë në kategorinë “Orizzonti”, bashkë me filma të tjerë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë kinematografik.”, ka shkruar kryeministri Kurti.
“Filmi “Bota Jonë” është financim i Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Aide au Cinéma du Monde, pra bashkëprodhim i Kosovës me Francën si filmi i parë i prodhuar pas nënshkrimit bilateral të marrëveshjes për bashkëprodhim filmik me shtetin e Francës, nënshkruar vitin e kaluar.
Me filmin e saj debutues si regjisore ”Luaneshat e Kodrës”, Luana kishte garuar në Festivalin e Kanës në vitin 2021. Me përzgjedhjen e filmit të saj të dytë në Festivalin e Venedikut këtë vit, po dëshmohet se me potencialin si kineaste, emri i saj do të përmendet për shumë kohë në industrinë kinematografike botërore. Edhe roli i saj i Sophie në ”Portrait of a Lady on Fire” të Celine Sciamma, është i pashlyeshëm.
Suksese në garë Luanës, Valbonës, Uratës, Elsës, Albinës, Donit, Aurorës, Ganisë dhe Armendit.”, ka shtuar ai më tej./FolDrejt/