Skandinavët duan kontroll më të mirë mbi kufirin e tyre me Rusinë. Një gardh mund të ndihmojë. Ndërtimi pritet të zgjasë tre deri në katër vjet, shkruan Tagesspiegel, përcjell Fol Drejt.
Finlanda do të ndërtojë një gardh më shumë se 130 kilometra në kufirin me fqinjin e saj të madh Rusinë. Të gjitha partitë e përfaqësuara në parlament kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë veprim, tha kryeministrja Sanna Marin pas një takimi të liderëve partiakë të martën në mbrëmje në Helsinki.
“Ka të bëjë me sigurinë që kufiri të kontrollohet mirë”, tha kryeministrja për Yle. “Dhe se ne mund të ndikojmë në mënyrë parandaluese në situatat që mund të lindin në kufi.” Sipas një propozimi të rojes kufitare finlandeze, gardhi duhet të ketë një gjatësi prej 130 deri në 260 kilometra. Kufiri mes dy shteteve është më shumë se 1300 kilometra i gjatë. Qeveria tani do të përpunojë propozime për një pilot projekt, njoftoi Marin pas diskutimeve. Parlamenti pritet ta votojë këtë më vonë gjatë këtij vit. Vendimi përfundimtar është planifikuar për vitin e ardhshëm.
Rojet kufitare vlerësojnë kostot në “qindra miliona euro”. Ndërtimi pritet të zgjasë tre deri në katër vjet. Opozita ka kritikuar koston dhe kohëzgjatjen e ndërtimit. Ashtu si Suedia, edhe Finlanda dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s pas dekadash refuzimi për shkak të luftës së agresionit rus kundër Ukrainës. Vendimi përfundimtar për pranimin është ende në pritje. /FolDrejt/