Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me
delegacionin të ambasadorëve dhe diplomatëve regjional të Finlandës, të
kryesuar nga Olli Kantanen, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Ministrinë e
Punëve të Jashtme të Finlandës, me të cilët ka biseduar për situatën politike
dhe ekonomike në vend, si dhe për zhvillimet e përgjithshme në rajon.
Kryeministri Haradinaj ka njoftuar ambasadorët dhe diplomatët finlandezë për prioritet e Qeverisë së Kosovës, në zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Duke i falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda i ka dhënë Kosovës, dhe
duke marrë parasysh që Finlanda merr kryesimin e Presidencës së Këshillit
Evropian, nga korriku i këtij viti, Kryeministri Haradinaj kërkoi
që Finlanda të luaj rolin e saj në forcimin dhe dinamizimin e agjendës
evropiane për Kosovën.
Ndër temat e diskutimit ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë,
tarifa dhe liberalizimi i vizave. Kryeministri Haradinaj u shpreh se Kosova
është për një proces të dialogut pa kushtëzime dhe e interesuar për arritjen e
një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative, që nënkupton njohjen
reciproke dhe çështja e tarifave, duhet të jetë pjesë integruese e marrëveshjes
për njohjen reciproke. Ndërsa për liberalizimin e vizave, vlerësoi se Kosova
deri më tani ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian.
Nga ana e tyre, delegacioni i ambasadorëve dhe diplomatëve regjional të Finlandës, vlerësuan lartë të arriturat në Kosovë dhe shprehën gatishmërinë e shtetit finlandez për përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.