Fiorentina me sa duket nuk ka ndërmend të shesë Sofian Amrabat në ditën e fundit të afatit kalimtar. Klubi italian refuzoi ofertën e Barcelonës dhe kjo e zemëroi lojtarin e kombëtares marokene.
Katalanasit propozuan ta huazonin mesfushorin e fortë deri në fund të sezonit dhe më pas ta blinin me një klauzolë prej 40 milionë euro. Ai propozim nuk u pëlqeu drejtuesve të klubit nga Firence, të cilët më pas i ndërprenë negociatat.
Vetë lojtari kishte një dëshirë të madhe për të luajtur në Camp Nou, ndaj nuk pranoi të stërvitej me shokët e tij sot në shenjë proteste. Te Fiorentina janë të zhgënjyer dhe të zemëruar për këtë sjellje të lojtarit, por nuk e kanë ndërmend ta lënë të kalojë në radhët e gjigantit spanjoll.
Sot është dita e fundit e afatit kalimtar dhe është interesante ta shohim se cilat do të jenë lëvizjet e futbollistëve në momentet e fundit, transmeton Fol Drejt.