Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka njoftuar se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komunën e Prishtinës lidhur me çështjen menaxhimit të popullsisë së qenve endacakë në kryeqytet.
“Organizata jonë do të monitorojë çdo proces dhe masë të zbatuar nga komuna për këtë qëllim, në mënyrë që të sigurohet një trajtim profesional, llogaridhënës dhe human për qentë, të cilët edhe vet janë viktima të sjelljeve të pandërgjegjshme njerëzore, siç janë ndarja e këlyshëve nga nëna në moshë tepër të hershme dhe braktisja e tyre, mungesa e trajtimeve veterinare, keqtrajtimi etj”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.
Fondacioni përmes një njoftimi në “Facebook” ka thënë se të gjitha komunat në Kosovë duhet të punojnë seriozisht dhe në mënyrë transparente për reduktim human të qenve endacakë.
“Komuna e Prishtinës është një nga komunat më aktive sa i përket projekteve të trajtimit të qenve në rrugë, por megjithatë, siç e kemi thënë shumë herë, situata me qentë në rrugë nuk mund të zgjidhet nëse nuke trajtohet burimi i problemit nga të gjitha komunat njëkohësisht dhe të punohet seriozisht dhe në mënyrë transparente për reduktim human të numrit të qenve në rrugë”, thuhet tutje./21Media