Me çlirimin e Mekës nga ana e muslimanëve, shumë fise të ndryshme arabe nxitonin turma-turma të bëhen muslimanë dhe një ndër ta ishte edhe fisi i Suvejd bin Harithit, Zoti qoftë i kënaqur me të, që rrëfen historinë e pranimit të Islamit:
Nga Fitim Dika
Kur dëgjuam se kishin ardhë shokët e Pejgamberit [alejhis selam] në vendin tonë, për të përhapur fenë, vrapuam drejt tyre.
Dëgjuam fjalët e tyre dhe pranuam islamin. Dëshironim të dimë më shumë për fenë dhe kërkuam të takojmë Pejgamberin [alejhis selam]. Shtatë shokë u pajtuam dhe u nisëm drejt Pejgamberit [alejhis selam] në Medine. Arritëm në qytet dhe shkuam në Mesxhid-i Nebevije. U takuam dhe biseduam me Muhamedin [alejhis selam]. Atij i pëlqeu shumë sjellja, fjalët dhe qëndrimi ynë.
– Çfarë u bëtë pasi pranuat thirrjen? – na pyeti ai.
– Besimtarë! – u përgjigjëm ne.
Pejgamberi [alejhis selam] buzëqeshi dhe tha:
– Çdo pretendim ka një dëshmi. Cila është dëshmia e pretendimit tuaj?
– Janë pesëmbëdhjetë çështje. Misionarët tuaj na thanë të besojmë në gjashtë nga pesëmbësdhjetë gjëra dhe të veprojmë pesë gjëra. Ndërsa katër tjerat janë gjërat që i veprojmë që nga koha e injorancës. Po deshët do të vazhdojmë të besojmë dhe veprojmë këto të fundit, nëse jo, i braktisim ato menjëherë – u përgjigjëm.
Pejbamberi [alejhis selam] na pyeti:
– Në çfarë ju kanë thënë të besoni?
– Na kanë thënë të besojmë Allahun, melekët e Tij, librat e shenjtë, pejgamberët e tij, ringjalljen pas vdekjes, hajrin dhe sherrin – kaderin – u përgjigjëm ne.
– Çfarë ju kanë thënë të veproni? – na pyeti ai.
– Të dëshmojmë se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, të falim namazin, të japim zeqatin, të agjërojmë në muajin e Ramazanit dhe të kryejmë haxhin. Ne i veprojmë këto – u përgjigjëm.
– Ç’janë ato që veproni nga koha e injorancës? – na pyeti ai.
– Falenderojmë Allahun kur jemi në paqe dhe begati, durojmë në kohë vështirësie; gjithnjë themi të vërtetën, pajtohemi me caktimin e Zotit, jemi të këmbëngulur dhe nuk ikim kur përballemi me armikun – u përgjigjëm.
Pejgamberi [alejhis selam] përsëri buzëqeshi dhe na tha:
– Ju jeni njerëz të ditur, të denjë, të mençur dhe njerëz që veprojnë të mirën. Thuajse se jeni të virtytshëm sa pejgamberët. Ato që thatë janë veçoritë më të mira, veprat më të mëdha dhe të ndershme. Po të dëshironi, ju them edhe unë pesë gjëra dhe plotësohet njëzetëshi.
– Na thuaj o i Dërguar i Allahut! – thamë ne.
– Nëse jeni ashtu siç thatë: mos grumbulloni më shumë se ajo në të cilën ushqeheni. Mos ndërtoni shtëpi në të cilat nuk do jetoni. Mos u grindni me njëri-tjetrin dhe mos urreni njëri-tjetrin për gjërat që një ditë do i braktisni. Përpiquni të përparoni duke vepruar vepra që do të jenë përjetësisht me ju. Qëndroni larg veprave që i ka ndaluar Allahu i madhërishëm, Ai para të Cilit, do të dilni bashkë me veprat tuaja! – tha ai.
Kur e lexojmë këtë histori të bukur të virtyteve më të larta që mund ti ketë një shoqëri, pavarësisht se vetëm 20 sosh, lindën pyetja, që nëse ne si shoqëri [shqiptare], por mbase edhe si farefis, miq dhe të afërmish, po t’i drejtoheshim Muhamedit [alejhis selam] për vepra të mira që kemi vepruar përpara kohës që kemi pranuar Islamin, cilët vepra do i përmendnim? /FolDrejt/