Sot pritet të fillojë Kupa e Botës e cila do të mbahet në Katar dhe ethet e këtij kompeticioni, i cili është më i shikuari në botën e futbollit, veçse kanë filluar.
Karakteristikë e këtij Botërori është se do të zhvillohet në botën arabe, përkatësisht në Katar dhe nuk do të mbahet siç jemi mësuar deri më tani në verë, por në fund të vjeshtës, për shkak të kohës së nxehtë e cila mbretëron atje.
Në këtë Botëror shteti i Katarit debuton për herë të parë në këtë kompeticion, ndërsa Uellsi më në krye Gareth Bale kthehet pas një kohe 64-vjeçare mungesë në Kupën e Botës.
ÇFARË PRITET NGA KUPA E BOTËS 2022?
Për të biseduar rreth Kupës së Botës 2022, Fol Drejt ka kontaktuar futbolldashësen Fitore Rrecaj, e cila njëherazi është edhe gazetare e sportit, si dhe shumë aktive në ndjekjen dhe komentimin e sportit, veçanërisht futbollit.
Pyetje: Çfarë prisni nga ky Botëror dhe çfarë mendoni që do të jetë ndryshe nga kampionatët e tjera paraprake?
F. Rrecaj: Si në secilin kampionat tjetër, pres që edhe ky të sjellë spektakel, futboll të bukur dhe atraktiv. E veçantë e këtij botërori është se do mbahet në periudhën e vjeshtës, e jo siç jemi mësuar në verë. Ndryshe nga kampionatët tjera është se një gjeneratë e re po dominon në futbollin e sotëm dhe pritshmëritë janë të mëdha për sukses ekipor, por poashtu edhe individual.
Pyetje: Cili futbollist mendoni që do të shkelqejë?
F. Rrecaj: Janë disa lojtarë që mendoj se do të dhurojnë spektakel, nga të rinjtë janë Cody Gakpo i Holandës, Musiala me Gjermaninë, Bellingham me Anglinë, dhe padyshim pres nga Messi me Argjentinën, Benzema me Francën dhe Kevin De Bruyne me Belgjikën, pasi këta janë lider tek kombëtarët e tyre.
Pyetje: Për Messin dhe Ronaldon pritet që ky të jetë Botërori i fundit. Kanë çfarë të na tregojnë ende apo epokën e tyre e shihni si të përfunduar tashmë?
F. Rrecaj: Messi po kalon formë të mirë dhe priten përformanca të mira nga ai, ndryshe nga Ronaldo i cili po kalon periudhë të vështirë tek Manchester United, disa lojë me minutazh të vogël e disa lojë si rezervist, por përsëri me kombëtare është çështje tjetër dhe dytë do të tentojnë të japin maksimumin e tyre për të arritur sukses në fund.
Pyetje: Cilat shtete mendoni se janë favorite për ta fituar Kupën e Botës 2022?
F. Rrecaj: Brazili dhe Argjentina janë dy nga shtetet te cilat mendoj se janë më të kompletuara dhe në formë më të mirë, por pres edhe Danimarkën e cila nga Evropiani ka kaluar në një formë të jashtëzakonshme dhe do të jetë “arrë e fortë” në këtë Botëror./FolDrejt/