Teksa na ndan 1 muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, ministri për Diasporën, Pandeli Majko pohoi se do të jetë aksident nëse fiton opozita.
I ftuar në emisionin “Frontline” të Marsela Karapanços në ‘News24’, Majko shprehu optimizëm se PS-ja do të sigurojë mandatin e 3. Sipas tij, PS-ja rrezikohet nga ata që nuk pranojnë të votojnë, që mund të jenë zhgënjyer nga problemet në administrata.
“E shoh si përgjegjësi. Është betejë e vështirë, pasi është për herë të parë brenda 30 vitesh që kërkojmë mandatin e 3 dhe jemi shumë pranë fitores. Bashkë me Veliajn, në Tiranë, po bëjmë gjënë e duhur. Për mua është e rëndësishme që ne të jemi mbi numrin 70. Jo se jam kundër 88. Brenda logjikës së zgjedhjeve, njeriu duhet të jetë i përgatitur. Nëse do më pyesnit mua, fitorja e opozitës do të ishte aksident. E vetmja shpresë që shihet në kampin opozitar është bashkëpunimi i PD-LSI. Është e vetmja shpresë, nuk thash se do të ndodhi.”