MSc. Bahri Curri
بسم الله و الصلاة و السلام على رسول الله, أما بعد:
Falënderojmë Zotin, dërgojmë salavate e përshëndetje mbi Muhamedin a.s., familjen, shokët dhe krejt Umetin e tij!
Të nderuar profesorë, intelektualë e mysafirë!
E nderuara autore e librit, znj. Besa Ahmeti Abdyli!
Të nderuar familjarë, miq e dashamirë të autores!
Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj!
Ju përshëndes me përshëndetjen islame: Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!
Të merresh me librin e të angazhohesh për librin dhe të bashkëpunosh me njerëz të librit është nder, kënaqësi dhe privilegj.
Andaj, padyshim që për librin duhet kujdes i veçantë, siç thotë edhe një thënie:
“Duhet të bëni kujdes prej librave, çfarë është brenda tyre, fjalët, kanë fuqinë të na ndryshojnë.” (Cassandra Clare)
Kështu, edhe fjalët që ndodhen në brendësi të librit që kemi në duar, kanë fuqinë, jo vetëm të ndryshojnë të menduarit tuaj, por të ndryshojnë totalisht mënyrën e të menduarit, e të konceptuarit, e të kuptuarit dhe të vepruarit në jetë. Pra, me pak fjalë ta ndryshon jetën në shumë dimensione, por më kryesorja është se tërë jeta jote ndryshon së brendshmi për kah e mira, e bukura, e qeta dhe harmonia shpirtërore me të gjitha ngjyrat e jetës. Me një fjalë të mëson të jetosh në harmoni me veten dhe me rrethin ku jeton, çdoherë duke dhënë paqe e pozitivitet dhe duke shpërndarë mirësi ndër botë.
Përbërja e njeriut nga tre komponentët themelorë: shpirti, trupi dhe mendja, është një faktor i pashmangshëm, që nuk guxon assesi të injorohet, për të bërë edukimin bazik të tij. Pra, na obligon që të kujdesemi për edukimin e tij shpirtëror, fizik e mendor.
Po ashtu edhe korrelacioni i njeriut në trekëndëshin: raporti i njeriut me Zotin, me veten e tij dhe me të tjerët, kërkon një kujdes të veçantë që është përcaktues për qëndrimin e njeriut në të menduarit e tij, në të vepruarit e tij dhe në bindjet e tij.
Për këtë, sa është i rëndësishëm qëndrimi ynë ndaj vetes, si kujdesi personal për bindjet (idetë e mendimet) dhe mirëqenien fizike, intelektuale e shpirtërore, aq është i rëndësishëm edhe qëndrimi ynë ndaj të tjerëve, pavarësisht situatave e rrethanave.
Gjithashtu, faktor i rëndësishëm në mirëqenien e njeriut, sa e si ndikon qëndrimi ynë ndaj të tjerëve, po aq është i rëndësishëm edhe qëndrimi i të tjerëve ndaj nesh. Që të gjitha këto ndikojnë në pozitivitet e në motivim për të mirë dhe për arritjen e sukseseve të kënaqshme e të dëshiruara nga ne.
Duke qenë në tërë këtë vorbull të dinamikës së jetës moderne e postmoderne, autorja, e nxitur edhe nga përgatitja e saj profesionale në fushën e psikologjisë dhe nga përvoja e saj personale, si edhe nga udhëzimet e mësimeve islame, duke parë shpeshherë konfuzionin e njerëzve në jetën e përditshme, si dhe jo rrallë edhe pesimizmin e tyre, e aq më keq, edhe negativitetin e tyre, e ka parë të nevojshme, ndërsa unë do të thoja është e domosdoshme, që të përgatitet një udhëzim i shkurtër e përmbledhës, i lehtë dhe i shpejtë për t’u lexuar, por edhe i qartë për t’u kuptuar, e besa edhe goxha ndikues e motivues për lexuesin e interesuar. Me rëndësi që mesazhi të arrijë në vendin dhe kohën e duhur për lexuesin, në cakun e drejtë.
Një përmbledhje e mirëkombinuar: besim, shkencë e përvojë, pra udhëzimi nga pikëvështrimi islam, nga shkenca për nga aspekti psikologjik ndërlidhur me përvojat praktike.
Autorja i ka përmbledhur rrjedhshëm këto koncepte dhe ia ka ofruar mirë lexuesit që mund t’i shërbejë si një udhëzues ditor i veprimtarisë së tij.
Vet natyra e Shpalljes Islame dhe mënyra e zbritjes së tij na e dëshmon dhe na e jep aspektin shkencor të trajtimit të kujdesshëm psikologjik, emocional e social të njeriut. Ku etapa mekase, 13 vjeçare, e zbritjes së ajeteve kur’anore fokusohet në këtë fushë për rregullimin e brendshëm të njeriut e më pastaj të kalojë në anën e jashtme të tij.
Në këtë libër flitet për të menduarit pozitiv, kujdesin për të dhe disa modele të të menduarit pozitiv, duke e përmbyllur me disa thënie motivuese në rrugëtimin e jetës.
Për vlerën e librit në përgjithësi, dhe ndërlidhur për librin tonë në fjalë në veçanti, kisha dashur të mos shtoja asgjë më tepër, vetëm se të sjell disa nga thëniet e autorëve të famshëm me renome botërore lidhur me vlerën e librit:
“Mos lexoni siç bëjnë fëmijët, për t’u zbavitur apo siç bëjnë ambiciozët për të mësuar. Jo, por lexoni që të jetoni.” (Gustave Flaubert)
“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale.” (Mark Twain)
“Ka dy arsye për të lexuar një libër: një, të shijon leximi; tjetra: mund të mburresh rreth tij.” (Bertrand Russell)
“Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta ime ndryshoi.” (Orhan Pamuk)
“Lexoje një libër të mirë tre herë, sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë.” (Abbas Akkad)
Në fund mund të theksojmë se bashkëpunimi ynë i ndërsjellë ka qenë shumë konstruktiv, ngase siç mund ta kuptoni edhe nga titulli i librit, vet autorja duke qenë me natyrë pozitive e ka shpërndarë këtë frymë edhe në libër, andaj dhe unë e kisha të lehtë që ta bëja punën time.
E përgëzojmë autoren për këtë punë dhe i urojmë shëndet, vazhdimësi e suksese të mëtutjeshme! Natyrisht presim nga ajo edhe shkrime e libra të tjerë! Jam i bindur se ajo e ka hapur një shteg të gjatë, nëpër të cilin do të lë gjurmë të forta, për të gjithë ata që duan ta ndjekin.
Jam po ashtu i gëzuar dhe i nderuar që në suksesin e saj të parë, po marr pjesë edhe unë me një kontribut modest prej redaktori…
Pra edhe një herë urime e suksese të mëtejme!
Ju faleminderit!
Autor: MSc. Bahri Curri, redaktor i librit
Vendi: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë
Datë: 10.08.2022, e mërkurë
Ora: 17:00