Nganjëherë e kam përshtypjen sikur më të mirët prej nesh nuk janë më, ikën për idealin dhe pothuajse krejt që mbetëm jemi kopje të zbehta.
Nga Fjolla Hajrizaj
U zgjova sot me këtë mendim ngase mbrëmë më erdhi vetja në ëndërr. Isha në shkollë fillore, në klasë dhe po recitoja vargjet e një poezie fort të dashur për mua që mesa kujtoj i referohet fjalëve që nëna e Jusuf Gërvallës ia tha atij, me dëshirën që i biri t’i kthehet në vendlindje me fitore.
“Jusufi e mbolli një pishë në oborr + dy lule
Tha mos i harroni pa ujë dhe i ra kitarës
Nuk e di pse, por i rrodhi loti
Nëna Ajshe i tha djali im
Mos u kthe pa diell
Mos u kthe pa hënë Jusuf
Në Dubovik ujqit kanë hyrë” (G.Xhafolli)
Tërë dita po më kalon në hove mallëngjimi duke pyetur veten si kanë jetuar njerëzit si Jusufi dhe të tjerët që ishin poaq ideal dhe pse ne sot po harrojmë që çdo kohë ka nevojë për heronjtë e saj?
Me apo padashje nuk e di, reflektova edhe mbi thënien se Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë vetveten (Rad 11).
Mangësitë që shtohen
Nuk mohoj gjithçka të mirë që është bërë në shtetin tonë e as faktin se mes nesh të mirët jetojnë akoma, por nuk mjafton si ngushëllim meqë koha nuk na fal për hapat prapa që i bëjmë.
Pas një kohe krejt të shkurtër pothuajse çdo gjë këtu ka nevojë për korrigjim ose del nga funksioni. Athua pse? Sepse kështu ndodhë me krejt punët çka bëhen shkel e shko.
Jemi popull që i është nënshtruar pritjes që do të bëhet mirë në një afat krejtësisht të pacaktuar.
Disi, nuk guxoj as ta mendoj se cilat vende do të doja t’i vizitoj, jemi aq të izoluar dhe të varfër për të pasë ëndrra saqë kot është.
Jemi viktima të një ekonomie të dobët, të një tregu të punës që nuk të fal: ose të shtjerr ose nuk të merr në konsideratë fare se nepotizmi është më i fortë se kualifikimet tua.
Çka më dhemb më së shumti është të qenët prore viktimë e një arsimi të dobët, grevave, respektit për figurën e mësimdhënësit që është në zhbërje e sipër dhe nxënësve gjithnjë e më pak të dhënë pas shkollës.
Sistemi shëndetësor është edhe vet në thelb i sëmurë ngase i mungon pothuajse çdo gjë.
Kemi përditë e më shumë viktima të dhunës në rritje përfshirë atë fizike, psiqike/shpirtërore dhe akustike (zhurmë), me theks të veçantë ndaj grave/ vajzave.
Athua si është të jetosh në një vend që i respekton të drejtat e barabarta, që i mbron fëmijët, që nuk të dhunon, që nuk të vret veç pse je grua. Athua si është të rritesh në familje, shkollë e shoqëri, që nuk i keq edukojnë djemtë, që nuk ja rrahin krahët kur ata fillojnë të bëhen agresivë dhe mendojnë se janë dominant ndaj gjinisë së kundërt, që nuk gatuajnë kësisoj individ që të marrin në qafë? Do të doja ta di.
Ky kaos urban që na rrethon, akoma më xhungël bëhet në ditë dimri se energjia elektrike nuk ia del të mbijetojë për kohë të gjatë pa filluar me vazhdën e ndaljes, bën dhe ftohtë, rrugët mbushen me akull dhe qen endacakë dhe unë kur shoh më të vjetrit që ecin të vetmuar lutem… lutem që të na kenë falur që nuk ju siguruam dot një pleqëri të rehatshme.
Çdo ditë sfidohemi me pritje për shërbime, për një pikë shprese e me dëshirat në rritje për të depërtuar në zemër të Evropës. Sfidohemi me sistem të drejtësisë që veç drejt nuk ecën ose shumë rrallë kur dikush të jetë bërë kurban dhe të jenë mbushur rrugët me njerëz që protestojnë.
Në çfarë Kosove do të donit të jetonit ju?
Jam e sigurtë që as ju këtë vend nuk e deshët kështu.
Kjo nuk është Kosova në të cilën e shoh veten teksa realizoj synimet e mia, kjo nuk është Kosova në të cilën dua që më të dashurit e mi të plaken, kjo nuk është Kosova ku do të doja që fëmijët të më rriten!
Por, shëmbëlltyrë e kësaj Kosove jam edhe unë.
Në të vërtetë jam lodhur por e di që më duhet të jem qytetare që i kontriboj vendit me taksa, punë të ndershme a vullnetare, duke qenë shofere e kujdesshme, jo studente e dijes së skriptave, jo e tillë që i nështrohem proceseve si të vijnë pa i vënë në pikëpyetje. Janë gjëra të vogla, por ndryshimi kështu nis.
E di që jam lodhur sa nganjëherë nuk më dalin as fjalët, por më duhet të vazhdoj t’i shërbej të vërtetës edhe kur nuk më konvenon, të mos hesht kur duhet të flas e të bëhem bashkëautore në prapësi dhe të jem e tillë që e dëgjon zërin e ndërgjegjies dhe nuk i bën askujt as asgjëje, asnjë gjë që nuk do të donte ta përjetonte vet.
Ndoshta kjo persiatje do t’iu duket utopike, uroj që të mos ju duket si elozhe ndaj vetes se do të ishte denigrim i asaj çka desha të paraqes por nuk besoj që duke qenë kaq kundërthënës dhe të pasinqertë si njerëz do mbërrijmë të rrëzojmë sisteme të dështuara.
Nëse një shembull i tillë nuk na erdhi kurrë nga lart do të na duhet ta kultivojmë nga poshtë.
Po ikin ditët dhe vitet, pakgjë ka ndryshuar.
Ndjesë, është ditë vikendi, sapo ka trokitur vjeshta dhe unë do të doja t’iu tregoj diçka të re, të këndshme dhe interesante.
Më besoni, unë, për herë të parë në jetën time do të doja të isha duke iu gënjyer. Por, kam frikë se: një popull i është nënshtruar vuajtjes…
Një popull i është nënshtruar pritjes për t’u bërë mirë kushedi kur.
“Hamej, merrini këto valixhe.
A janë të rënda?
Janë të mbushura me pritje” (Ismail Kadare- Llora)./FolDrejt/