Përveç ndezjes tradicionale në komunën e Skenderajit, ndezja e flakadanëve me rastin e Epopesë së UÇK-së është bërë edhe në komunën e Prishtinës.
Kryetari i kësaj komune, Përparim Rama, para gazetarëve ka thënë se ndezja e flakadanëve është bërë solidarizim me Natën e Zjarreve që mbyllet sonte në Prekaz.
“Kjo është një shenjë nderi, respekti për familjen e madhe Jashari, të cilët e kanë flijuar jetën e tyre që ne sot ta festojmë lirinë, është një organizim që e kemi bërë edhe vitin e kaluar dhe tash e tutje do të jetë organizim për çdo vit, edhe normal që çdo vit edhe do të madhërohet shumë e më shumë për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, për të nderuar të gjithë ata që kanë dhënë jetën për lirinë e vendit tonë, për lirinë që e gëzojmë sot këtu”, ka thënë kryetari Rama.
“Ftoj të gjithë që të vijnë këtu. Kemi disa pamflete atje, disa prezantime të historikut prej viteve të 90’ta e deri më tani, e deri faktikisht në luftë e më pastaj të familjes, në peripecitë që ata i kanë kaluar edhe faktet që kanë ndodhur me familjen t’i mbajmë mend gjithmonë që t’i mësojmë edhe gjeneratat e reja që edhe fëmijët tanë të dinë për historinë se si është fituar liria, se liria është fituar me gjak edhe tash duhet të punojmë sa më shumë që ta ngrisim nivelin e edukimit, pra që të forcohemi që të mos lejojmë në të ardhmen të ndodhin këto gjëra, këto masakra kurrë me popullin tonë, pra ta mbrojmë paqen me dijeni, ta mbrojmë lirinë me dijeni e po ashtu gjithmonë t’i përkujtojmë ata të cilët flijuan jetën që ne ta gëzojmë lirinë sot”, ka shtuar tutje ai.