Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se shqetësimet e tyre janë në “nivel të lartë” se Kina do të ndihmojë Rusinë në luftën me Ukrainën.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se shqetësimet e tyre janë në “nivel të lartë” se Kina do të ndihmojë Rusinë në luftën me Ukrainën, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një konferencë për media, Psaki tha se presidenti amerikan Joe Biden nesër do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin kinez Xi Jinping. “Kjo bisedë do të jetë një mundësi që Biden të vlerësojë se ku qëndron Jinping. Në deklaratat e Kinës nuk ka një qëndrim të qartë ose një dënim të qartë ndaj Rusisë”, tha Psaki.
Psaki theksoi se qëndrimi që Kina do të mbajë tani, do të ndikojë se në cilën anë do të përfshihet ajo në librat e historisë.
Duke nënvizuar se shqetësimet e tyre janë në nivel të lartë që Kina do të ndihmojë Rusinë në sulmet kundër Ukrainës, Psaki tha: “Çdo ndihmë e Kinës teksa Rusia pushton një vend të huaj, është burim i një shqetësimi të madh dhe kjo ka pasoja”.
– “E pafalshme ajo që Rusia po bën para syve të gjithë botës”
Lidhur me reagimin nga Rusia si “të pafalshme dhe të papranueshme” për cilësimin e presidentit rus Vladimir Putin nga Biden si “kriminel lufte”, zëdhënësja Psaki tha se “Ajo që është e pafalshme janë ato që Rusia po bën para syve të gjithë botës”.
Në pyetjen se “Duke pasur parasysh pasojat e pushtimit rus të Ukrainës, a keni ndërmend të rishqyrtoni njohjen e aneksimit të Lartësirave së Golanit nga Izraeli dhe aneksimin e Saharasë Perëndimore nga Maroku gjatë periudhës së Bidenit?, zëdhënësja Psaki u përgjigj: “Nuk ka ndonjë zhvillim të ri lidhur me këtë çështje”./FolDrejt/