Adriano ka qenë një nga sulmuesit më të talentuar dhe më të mirë që ka patur ndonjëherë futbolli.
“Perandori” shpërtheu me fanellën e Interit duke u bërë një tmerr për kundërshtarët. Adriano ka patur fatin të luaj me disa prej legjendave të futbollit, dhe dy nga to për të cilët ai ka folur në një intervistë për “DAZN”, ishin Ronaldo fenomeni dhe Seedorf.
“Ronaldo dhe Seedorf? Të kesh afër kampionë të tillë ka qenë një emocion i jashtëzakonshëm. Nuk ka as fjalë për ta përshkruar atë moment në krah të dy lojtarëve të tillë”, u shpreh ish-lojtari i Interit.
“Edhe tani kur i shikoj përsëri këto foto më duket e çuditshme. Krahasimi me Ronaldon? Jo, nuk ka asnjë krahasim, ai është një fenomen, e ka treguar gjatë gjithë karrierës së tij.
Unë kam treguar se mund të bëhesha i tillë, por nuk ka krahasim, nuk mund të jem i barabartë me të. Ai më çonte në Pinetina sepse kam jetuar për pak kohë në shtëpinë e tij dhe mbaj mend të thoshte gjithmonë se nëse doja të shkoja larg, duhet të luftoja për të ndihmuar familjen time. Ka qenë si vëlla i madh për mua”, u shpreh perandori./FolDrejt/