Kryeprokurorja e Ukrainës i ka thënë BBC-së se po heton pothuajse 14,000 raste të krimeve të dyshuara të luftës nga forcat ruse.
Duke folur në Londër në udhëtimin e saj të parë jashtë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit, Iryna Venediktova thotë se nga 100 deri në 200 raste të reja vijnë çdo ditë.
Ajo ka takuar Prokuroren e Përgjithshme të Britanisë, Suella Braverman, dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar se çfarë mund të bëjnë më shumë Mbretëria e Bashkuar dhe fuqitë e tjera perëndimore për të mbështetur procesin e hetimit.
“Sot kemi afër 14,000 raste, vetëm për krime lufte, dhe afër 6,000 raste të ndërlidhura. Kjo do të thotë se ne kemi një numër të madh precedentësh dhe çdo ditë kemi gjithnjë e më shumë”, tha Iryna Venediktova Kryeprokurorja e Ukrainës
Venediktova thotë se krimi më i zakonshëm i supozuar i luftës është bombardimi i ndërtesave civile, veçanërisht spitaleve dhe shkollave. Në total, ajo thotë se më shumë se 1,000 ndërtesa mjekësore dhe arsimore janë shkatërruar.
Ajo thotë gjithashtu se civilët po vriten, dhe ka plaçkitje dhe përdhunime. Venediktova zbulon se ajo madje ka filluar të hetojë akuzat për gjenocid.
“Unë jam absolutisht dakord që ne në Ukrainë kemi gjenocid. Pse? Sepse ata, dua të them, ata erdhën për të shkatërruar shtetin ukrainas, për të vrarë të gjithë ukrainasit, dhe duan që kjo tokë të jetë si një pjesë e Federata Ruse”, tha Venediktova, duke shtuar se është e vështirë të hetohej në territorin e kontrolluar nga Rusia./FolDrejt/