Shefi i Zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje me Beogradin, Giampiero Romano, ka deklaruar për mediat në Serbi se paqja dhe stabiliteti në Kosovë mbeten prioritet i NATO-s.
“Misioni i NATO-s, KFOR-i është plotësisht i fokusuar në ushtrimin e përditshëm të mandatit të tij bazuar në Rezolutën 12-44 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999, e ky është të ofrojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit të cilët jetojnë në Kosovë. KFOR-i po vëzhgon me vigjilencë situatën dhe ka qëndrim të shkathët dhe fleksibël dhe një prani të dukshme në terren. Në maj pati dhunë kundër forcave paqeruajtëse të KFOR-it, ku u lënduan 93 ushtarë të NATO-s, disa prej të cilëve pësuar lëndime të rënda. Në shtator pati ngjarje të reja të dhunshme. Kjo është e papranueshme. Faktet patjetër që duhet të vërtetohen, ndërsa autorët të vihen para drejtësisë. Në përgjigje të dhunës, NATO ka dislokuar në Kosovë rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe njësi autoblindash. Kjo është rritja më të madhe e kontingjentit tonë në Kosovë në dhjetë vitet e fundit, që tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen”, ka deklaruar gjenerali Romano.
Ai ka thënë se për këtë qëllim KFOR-i është në kontakt si me palën serbe, atë kosovare, EULEX-in, OSBE-në dhe bashkësinë ndërkombëtare, shkruan RTK.
“Një Kosovë e qëndrueshme është me rëndësi thelbësore për stabilitetin në rajon dhe për sigurinë tonë. Për më shumë se dy dekada, paqja dhe stabiliteti në Kosovë janë prioritet për NATO-n. Mandati i Kombeve të Bashkuara për misionin tonë paqeruajtës, KFOR-in, që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të nga viti 1999, mbetet i pandryshuar. Ne vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për një mjedis të sigurt në Kosovë”, ka theksuar ai.
Duke komentuar dialogun Serbi – Kosovë pas tensioneve dhe sulmit terrorist në Banjskë, Romano ka theksuar se Aleanca vazhdon të mbështesë me vendosmëri dialogun nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian dhe përpjekjet e tjera me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës si “mënyrë e vetme për arritjen e zgjidhjes së qëndrueshme politike dhe stabilitetit në rajon”.