Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, ka publikuar dëshmi se si ushtarët serbë kanë dhunuar femrat, gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Brovina ka thënë se në fotografi shihet ushtari serb duke dhunuar një femër në Kosovë, dhe familjarët përreth saj janë disa të vrarë, e disa duke u keqtrajtuar nga ushtria serbe.
“Këtë fotografi e kanë parë edhe EULEX-i edhe UNMIK-u, ata e dinë se kush është dhe nuk ka asnjë reagim”, tha Brovina duke mos dashur të jep më shumë detaje.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar në ora 10:00, dhe ka shtatë pika të rendit të ditës, ku ndër të tjera është propozim rezoluta për gjenocidin, formimi i komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit dhe pika tjera që lidhen me gjenocidin serb në Kosovë.
Këto janë pikat e rendit të ditës:
Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
Koha për pyetje parlamentare,
Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë,
Formimi i Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë,
Vendimi për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, tek ish – Fabrika e tjegullave,
Vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, tek Stacioni hekurudhor i Prishtinës,
Caktimi i Ditës së Gjenocidit. /Telegrafi/