Policia kroate njoftoi se deri më tani në vendngjarje janë gjetur një krater dhe dy parashuta dhe se hetimet janë duke vijuar.
Pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Kroacisë janë duke kryer hetime në Jarun, afër Zagrebit, pas raportimeve të mbrëmshme të qytetarëve për një shpërthim pas rënies së një objekti nga ajri, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Policia tha se deri më tani në vendngjarje janë gjetur një krater dhe dy parashuta.
Gjegjësisht, mbrëmë pas orës 23:00, Drejtoria e Policisë së Zagrebit ka pranuar disa thirrje nga qytetarët se kanë dëgjuar një shpërthim në zonën e Jarun-it, të cilit i ka paraprirë një rënie nga ajri.
“Patrullat policore janë dërguar me urgjencë në vendin e denoncimit dhe kanë konstatuar një krater në zonën e gjelbëruar në rrugën ‘Jarunska’ ndërsa kanë gjetur dy parashuta në zonën më të gjerë, për të cilat më herët kemi marrë raportime nga qytetarët”, tha Ministria e Brendshme kroate.
Punonjësit e policisë kanë rrethuar zonën dhe vendin e ngjarjes ku po zhvillohet hetimi, me pjesëmarrjen e të gjitha organeve përkatëse.
“Deri më tani policia nuk ka raportime për të lënduar në hapësirën më të gjerë të vendit të ngjarjes. Janë dëmtuar disa automjete të parkuara”, thonë nga policia kroate.
Mediave u është bërë thirrje që të informojnë me përgjegjësi publikun dhe të paraqesin informacione të verifikuara të marra nga shërbimet përkatëse, për të parandaluar përhapjen e dezinformatave.
Apelohen qytetarët që të mos shpërndajnë video apo fotografi nga vendi i ngjarjes përmes rrjeteve sociale.
“Nëse ndodheni në zonën ku po zhvillohen hetimet policore, ndiqni udhëzimet e punonjësve të policisë. Policia do të publikojë në vazhdimësi informacionet e konfirmuara”, shtoi MPB-ja./FolDrejt/