Lëvizja FOL ka publikuar të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, të quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani, tha se Lëvizja FOL ka gjetur se Plani Kombëtar për Zhvillim (PKZh) i Qeverisë së Kosovës ka një logjikë rrjedhëse, mirëpo, pas analizimit të të njëjtit, vërehet së në fakt planifikimi operacional ka mangësi të tepërta të cilat e bëjnë planin të palexueshëm, të pakuptueshëm dhe që nuk tregon asgjë apo edhe e fsheh zbatimin e vërtetë të PKZh-së.
“Si shembull për këtë kemi që Zyra e Kryeministrit ka parapare miratimin e 5 projektligjeve në Planin Legjislativ por vetëm 1 prej tyre është përmendur edhe në Planin Strategjik Kombëtar”, tha Demolli-Nimani.
Në raportin e Lëvizjes FOL bëhet e ditur se Zyra e Kryeministrit ka planifikuar 47 aktivitete që të përfundohen deri në fund të tremujorit të dytë, ndërkaq ka realizuar vetëm 12 prej tyre.
Derisa, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, nga 10 aktivitete të parapara të përfundojnë në tremujorin e dytë të vitit 2023, 4 prej tyre nuk janë përfunduar.
“Ministria e Pylltarisë, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka planifikuar të realizoj 5 aktivitete nga të cilat i ka përfunduar të gjitha. Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar 14 aktivitete, prej të cilave i ka realizuar vetëm 8 aktivitete”, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Ndërkaq, edhe Ministria e Punëve të Brendshme, sipas raportit, ka planifikuar 16 aktivitete, prej te cilave ka realizuar vetëm 2.
“Në tërësi, në 6-mujorin e parë të vitit 2023 në Planin Kombëtar për Zhvillim është paraparë realizimi i 175 aktiviteteve, prej të cilave kanë arritur të realizohen vetëm 60 nga to brenda afatit të paraparë”, thuhet tutje në këtë raport.
Si përfundim, Lëvizja FOL ka nxjerrë disa konkluzione, si “planifikimi i punës së Qeverisë është i pakuptueshëm, i pa lexueshëm dhe metodologjia e përdorur nuk tregon zbatimin e vërtetë, madje në disa raste e fshehë zbatimin e ulët”, po ashtu edhe se “Aktivitetet e parapara në PKZh nuk korrespondojnë më Programin Legjislativ për vitin 2023”.