Footmercato shkruan se Karim Benzema ka njoftuar drejtuesit e Real Madridit se po largohet për në Saudi te klubi Al-Ittihad.
I njëjti burim sqaron se negociatat mes Benzemas dhe sauditëve kanë vijuar prej javësh dhe se qendërsulmuesi francez më në fund ka marrë një vendim që do të lëkundë seriozisht planet e Realit.
Footmercato shton se Reali po përpiqet dëshpërimisht të bindë Benzeman që të zgjasë kontratën e tij, e cila skadon pas një muaji. Ditët e fundit mediat spanjolle po spekulojnë për një ofertë të pasur nga sauditët, me të cilën fituesi aktual i Topit të Artë mund të fitojë rreth 400 milionë euro në dy sezone, krahas përfitimeve të tjera të shumta.
Kujtojmë se Al-Ittihad është kampion i Arabisë Saudite, dhe përfundoi përpara klubit Al-Nassr, ku luan edhe Cristiano Ronaldo. Në prag të Kupës së Botës 2030, sauditët duan të tërheqin futbollistët më të mirë të futbollit dhe t’i punësojnë ata si ambasadorë, të cilët do t’i ndihmonin të merrnin organizimin e Kupës së Botës. Tashmë dihet se edhe Lionel Messi ka një ofertë fitimprurëse nga klubi tjetër saudit Al-Hilal, transmeton Fol Drejt.