Forcat izraelite arrestuan 40 palestinezë në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Klubi i të Burgosurve Palestinezë deklaroi se forcat izraelite arrestuan të paktën 40 palestinezë që nga orët e mëngjesit dhe se arrestimet kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor.
Sipas informacionit të marrë nga dëshmitarë okularë, mes banorëve të rajonit dhe ushtarëve u ngritën tensionet gjatë bastisjeve të ushtarëve izraelitë në qytetet Tubas dhe Jenin në veri të Bregut Perëndimor.
Ushtarët izraelitë përdorën municion të vërtetë dhe gaz lotsjellës kundër banorëve palestinezë.
Nuk kishte asnjë deklaratë nga autoritetet izraelite për këtë çështje.
Forcat izraelite, të cilat bastisin shpesh shtëpitë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, arrestojnë palestinezë me akuza të ndryshme. Herë pas here shpërthejnë përleshje mes ushtarëve izraelitë dhe banorëve palestinezë, të cilët reagojnë ndaj bastisjeve.