Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar vranë një dhe plagosën 11 palestinezë.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa njoftoi se mbrëmë ka pasur përleshje mes forcave izraelite dhe banorëve të Hebronit verior.
Ushtria izraelite deklaroi se ushtarët qëlluan ndaj palestinezëve të cilët hodhën gurë dhe mjete shpërthyese të improvizuara ndaj anëtarëve të forcave izraelite gjatë një operacioni ushtarak në atë qytet, dhe se ushtarët u qëlluan gjithashtu.
Në deklaratën e Ministrisë palestineze, saktësohet se nëntë palestinezë janë plagosur nga plumbat e vërtetë, ndërsa dy kanë pasur vështirësi në frymëmarrje pasi kanë thithur gaz lotsjellës.
Një person i plagosur ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, tha ministria, por nuk e identifikoi atë.
Tensionet midis izraelitëve dhe palestinezëve janë rritur prej muajsh, pasi forcat izraelite arrestojnë ekstremistë të dyshuar çdo natë pas një serie sulmesh vdekjeprurëse në Izrael pranverën e kaluar që vranë 19 persona.
Gati 140 palestinezë janë vrarë në përleshjet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor këtë vit, më së shumti që nga viti 2006.
Ushtria izraelite pretendon se shumica e palestinezëve të vrarë ishin ekstremistë. Të rinjtë që protestonin kundër bastisjeve izraelite dhe palestinezë që nuk ishin të përfshirë në konflikt u vranë gjithashtu.
Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor në luftën e vitit 1967, së bashku me Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës. Palestinezët aspirojnë të krijojnë shtetin e tyre të pavarur në ato territore./FolDrejt/