Autoritet ukrainase kanë njoftuar se 9166 ushtarë kanë humbur jetën nga forcat ruse që sulmuan Ukrainën.
Në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës janë ndarë informacione lidhur me humbjet që forcat ruse kanë përjetuar në 9 ditët e fundit, shkruan AA.
Në deklaratë thuhet se 9.166 ushtarë të ushtrisë ruse që sulmuan Ukrainën kanë humbur jetën dhe se ushtria e Ukrainës ka shkatërruar 33 avionë, 37 helikopterë, 251 tanke, 939 automjete të blinduara, 105 topa dhe 2 skafe të lehta të Rusisë.
Gjithashtu thuhet se forcat ruse kanë humbur edhe 50 sisteme raketahedhëse, 404 automjete, 60 automjete me karburant, 18 sisteme të mbrojtjes ajrore dhe 3 dronë. Në këto shifra bëhet e ditur se nuk përfshihen informacionet për luftimet në vazhdim, transmeton Fol Drejt.
Ndërkohë, në Kiev, kryeqytetin e Ukrainës, mbrëmë vonë u dëgjua zhurma e një shpërthimi të madh. Zhurma ishte një nga shpërthimet më të forta të dëgjuara në Sheshin e Pavarësisë në qendër të qytetit gjatë sulmeve ruse.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është përballur me sanksione të ashpra financiare kundër Moskës nga Bashkimi Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), 227 civilë janë vrarë dhe 525 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës.
Megjithatë, zyrtarët ukrainas thonë se numri i të vdekurve është më shumë se 2000.
Agjencia e OKB-së për refugjatët raportoi gjithashtu se më shumë se një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje./FolDrejt/