Forcat ushtarake të Serbisë kanë nisur stërvitje ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën. Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.
Sipas njoftimit do t’i kushtohet rëndësi e veçantë stërvitjeve luftarake në rast të ndonjë sulmi ndaj njesisë, taktikave, teknikave dhe procedurave që përdoren për të parandaluar kalime të paligjshme, aktivitete të grupeve ekstremiste dhe krimin e organizuar”.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha se forcat e armatosura serbe, të dislokuara në Zonën e Sigurisë Tokësore përgjatë Kosovës, kryejnë stërvitje gjatë gjithë vitit si para dislokimit, por edhe për zbatimin e detyrave që kanë në Zonën e Sigurisë Tokësore.
Kjo, sipas autoriteteve të mbrojtjes serbe, “siguron një nivel të lartë të aftësisë për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave, rreziqeve dhe kërcënimeve që bien në fushën e përgjegjësisë së tyre”.
Këto stërvitje vijnë në kohën kur nga 1 shtatori, Serbia për herë të parë pas 11 vjetësh nuk do të lëshojë dokumente hyrje/daljeje për qytetarët e Kosovës, por do të lejojë që të përdorin letërnjoftimet e tyre.
Njësoj do të veprojë edhe Kosova për shtetasit e Serbisë. Për këtë marrëveshje, palët u morën vesh më 27 gusht, pas ndërmjetësimit të diplomatëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, shkruan REL.
Heqja e dokumenteve për hyrje/dalje pasoi përshkallëzimin e tensioneve midis dy shteteve, pasi serbët lokalë në veri ngritën barrikada për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për këto dokumente, por edhe për riregjistrimin e makinave.
Më 1 shtator, po ashtu nis afati dymujor për riregjistrimin e makinave që qarkullojnë në veri të Kosovës, e që lëshohen nga Serbia./abcnews.al/