Forcat speciale të Bjellorusisë kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta me forcat paraushtarake ruse ‘Wagner’, shkruan Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Forcat e armatosura të Bjellorusisë vazhdojnë stërvitjen e përbashkët me luftëtarët e ‘Wagner PMC’. Gjatë javës, njësitë e forcave të operacioneve speciale së bashku me përfaqësues të kompanisë do të kryejnë detyra stërvitore luftarake në terrenin stërvitor Brest panë kufirit polak”, tha Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë.
Javën e kaluar, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se ‘Wagner’ mori pjesë në trajnimin e ushtarakëve të njësive territoriale të Bjellorusisë në zonën e qytetit Osipovichi në rajonin Mogilev.
Pala bjelloruse nuk specifikoi numrin e luftëtarëve të grupit ‘Wagner’ që kanë mbërritur në Bjellorusi.
Të mërkurën, kreu i grupit ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin, në daljen e tij të parë publike që nga tentativa për kryengritje në fund të qershorit, tha se forcat e tij do të qëndrojnë në Bjellorusi “për ca kohë”.
Më 24 qershor, Prigozhin akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë se kishte sulmuar luftëtarët e grupit, shpalli “Marshimin e drejtësisë” dhe u nis drejt Moskës.
Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse e quajti veprimin e grupit “rebelim të armatosur” dhe hapi një çështje penale kundër kreut të grupit, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, e quajti kryengritjen e kompanisë private ushtarake një “akt tradhtie”.
Më vonë, Prigozhin u kthye prapa, siç tha ai, për të “shmangur gjakderdhjen” dhe që atëherë është zhvendosur në Bjellorusi sipas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko.